Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim virtual me qytetarët, ku theksoi rëndësinë e qëndrimit të opozitës dhe të kryengritjeve paqësore në Shqipëri.
Ai e përshkroi ndikimin e këtyre veprimeve në figurën e kryeministrit Edi Rama dhe rolin e opozitës në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve.
“Së pari, dua t’ju falënderoj për qëndrimin tuaj të pamposhtur ndaj këtij regjimi. Është pikërisht ky qëndrim, kryengritjet paqësore të qytetarëve, ato të cilat e kanë bërë Edi Ramën delen e zezë të mediave ndërkombëtare. Sot, si për asnjë lider tjetër në Evropë, mediet e mëdha botërore e kritikojnë ashpër, duke e damkosur si arkitektin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë. Çdo ditë, falë kryengritjes paqësore dhe mospajtimit tuaj me vendimet e tij, Rama është i ekspozuar politikisht dhe ndërkombëtarisht, duke treguar se opozita shqiptare është më e fortë se kurrë. Ky qëndrim ka luajtur një rol vendimtar në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, sfidon propagandën zyrtare të medieve të kontrolluara nga Rama dhe dëshmon se Shqipëria ka një opozitë të fuqishme që përballet dhëmb për dhëmb me narkodiktaturën dhe regjimin autoritar, duke synuar rivendosjen e shtetit ligjor, sigurinë e qytetarëve dhe ndëshkimin e krimit të organizuar.”









