Dëgjohen zëra kritik, ndaj pushtetit aktual, që vijnë nga intelektual, analistë, gazetarë,…, maqedonas, për trajtimin e të drejtave të shqiptarëve! Halli i këtij grupi nuk është se u dhimbsen shqiptarët, sepse shqiptarët gjithmonë kanë qenë të shtypur, veçanërisht para vitit 2001, por ky grup atëherë, jo vetëm nuk e ka ngritur zërin, për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, por kanë nxitur pushtetin të jetë më i ashpër ndaj tyre.
Ajo që më bëri përshtypje, ishte reagimi i Ljubomir Fërçkovski, ish-Ministër i punëve të brendshme, ambasador, profesor,…! Çuditërisht, ka dalë në mbrojtje të të drejtave të studentëve shqiptarë, ndërsa kur ishte Ministër i punëve të brendshme, edhe me armë, ishte kundër hapjes së Universitetit të Tetovës, prej ku kanë dalë edhe studentët që sot i përkrah!
Të them të drejtën, ky reflektim, nëse do ishte i sinqertë, duhet përshëndetur! Por a është i sinqertë?! Unë mendoj se nuk ka fije sinqeriteti brenda, por ka ngjyrë politike dhe frikë nga rikthimi i vitit 2001 që do ishte i kobshëm për Shtetin!
Arsyet e përbashkëta reale të grupit maqedonas që qortojnë qeverinë aktuale nuk janë të drejtat e shqiptarëve por të mos u shtohet edhe një vend ‘armik’ kundër Maqedonisë së Veriut, siç është Shqipëria dhe të vështirësohet rruga e saj edhe më shumë për në BE! Këtë hallë edhe nuk e fshehin në reagimin e tyre! Më qartë prej të gjithve e thot Ljubomir Fërçkovski!
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut s’kanë nevojë për lotë krokodili!
Shqiptarët e shekullit 21, në Maqedoninë e Veriut, nuk janë në kushtet e shekullit 20! Nëse në shekullin 20 kërkonin të drejtat e tyre të bazuara në kartën e OKB-së për të drejtat e njeriut, në shekullin 21 kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre të bazuara në ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë! Dhe, për këto të drejta, shqiptarët i kanë mundësitë dhe rrugët e hapura demokratike për të protestuar deri në bllokimin e plotë të Shtetit! Për të gjitha këto do e kenë përkrahjen rajonale dhe globale, sepse kërkojnë zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut!
Tani koha punon për shqiptarët! Ata kanë të drejtën e ligjit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut! Sa më parë që pushteti të kupton këtë ‘armë’ në dorë të shqiptarëve aq më mirë do bëhet për Shtetin dhe pushtetin aktual. Me kalimin e kohës, mund të arrihet në pikën ku nuk do ketë mundësi kthimi pas! Atëherë, ligjet dhe Kushtetuta aktuale do të jenë të vjetëruara dhe nuk do pasqyrojnë kërkesat e shqiptarëve!
Nëse Qeveria mendon se me kalimin e kohës do tkurren protestat nga lodhja, e kanë gabim, sepse protestat jo vetëm nuk do tkurren, ato do zgjerohen përtej studentëve, dhe jo vetëm në Shkup, por në gjithë vendin. Prandaj Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të plotëson, jo vetëm kërkesat urgjente të studentëve, por çdo të drejtë të shqiptarëve që ua garanton Kushtetuta dhe ligjet, pa kërkuar kime në vezë, për të mos i realizuar ato! Në këtë linjë, dua ta rikujtoj paraqitjen shumë të ultë dhe naive të Izet Mexhitit, në një kanal televiziv të një vendi fqinj, ku u mundua të fsheh diskriminimin e gjuhës me lojra fjalësh! Kinse pengesat janë gjatë ‘kalimit nga një komunë në tjetrën të Shkupit, me atë se diku janë mbi 20% e diku janë më pak se 20%, dhe sikur diku paskan të drejtë dhe diku nuk paskan të drejtë’!!!! Këto janë broçkulla, sepse gjuha shqipe, në bazë të Kushtetutës, është zyrtare në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, aq më parë edhe në gjithë territorin e Shkupit, sepse në nivel të Shtetit dhe të Shkupit shqiptarët janë mbi 20%!
Kështu që sa më parë të harrohen këto lojra ping-pongu me të drejtat e shqiptarëve aq më mirë do bëhet për Shtetin! Shqiptarëve nuk u ngutet, kanë prit me shekuj, do presin edhe me dekada, por Maqedonia e Veriut e ka trenin e fundit! Nëse edhe këtë tren e humb do i humb me ka krejt!!









