Rusia shpreh gatishmërinë për bisedime me Bashkimin Evropian mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, ka njoftuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai theksoi se është më mirë të zhvillohen diskutime sesa të shkohet drejt përballjes së plotë, duke akuzuar Evropën për nxitjen e tensioneve.
Sipas Peskov, Rusia do të mirëpriste një ndryshim qëndrimi nga pala evropiane, duke iu referuar sinjaleve të fundit nga Finlanda dhe Berlini për mundësinë e bisedimeve direkte me Moskën. Megjithatë, Moska vazhdon të kërkojë që vendet evropiane, të cilat furnizojnë Ukrainën me armë, të mos jenë pjesë e negociatave.
Bisedimet ndërkombëtare për Ukrainën po zhvillohen me ndërmjetësimin e SHBA-së, por deri tani nuk ka pasur progres të dukshëm. Një nga pengesat kryesore mbetet kërkesa e Rusisë për tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, e refuzuar nga Presidenti Zelensky.
Putin ka përmendur mundësinë e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder si ndërmjetës, por Ukraina e ka kundërshtuar idenë për shkak të lidhjeve të tij me udhëheqjen ruse. Nga ana tjetër, Moska refuzon që ndërmjetës të jenë figura kritike ndaj saj, duke përjashtuar, për shembull, shefen e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.
Situata mbetet e ndërlikuar, ndërsa pyetja mbi një ndërmjetës të pranueshëm nga të gjitha palët në BE mbetet e pazgjidhur.









