Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë gradualisht praninë e tyre ushtarake në Evropë.
Ky hap bëhet si pjesë e një rivlerësimi të përgjithshëm të kërcënimeve globale nga administrata Trump, duke synuar balancimin e angazhimeve amerikane në Indo-Paqësor, Lindjen e Mesme dhe Hemisferën Perëndimore.
“Kemi detyrime në Indo-Paqësor, kemi detyrime në Lindjen e Mesme dhe kemi detyrime në Hemisferën Perëndimore. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe nuk duhet të jetë surprizë për askënd. Nuk po përcaktojmë një afat kohor të saktë për uljen e trupave në Evropë, por ky proces ka nisur që nga dita e parë e kësaj administrate. Gjermanët nuk u shqetësuan për tërheqjen e 5,000 ushtarëve, sepse kjo thjesht na kthen në shifrat e vitit 2022 dhe përbën një reduktim prej më pak se 12% të pranisë totale. Qëllimi ynë është të kemi një NATO të fortë: sa më të fortë të jenë aleatët tanë, aq më e fortë do të jetë vetë aleanca”, tha Rubio pas Samitit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi.









