Procesi i kategorizimit të operatorëve ushqimorë konsiderohet një nga hapat më të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt standardeve europiane të sigurisë ushqimore.
Për rreth 4 muaj, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) do të vlerësojë 904 operatorë ushqimorë për përmbushje të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesës së Bashkimit Europian.
Vlerësimi ka nisur më 14 Prill dhe deri tani ka përfunduar për 225 biznese. Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar Ushqimor, Blerina Gjylameti, në intervistën për “Monitor” shpjegon sfidat, problematikat dhe masat që po ndërmerren për të garantuar përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Europian.
Cilat janë kërkesat kryesore që vendi ynë duhet të përmbushë sipas Kapitullit 12 për çështjet e sigurisë ushqimore?
Është hera e parë, kur sektori më i vështirë dhe i panegociueshëm nga BE: Siguria Ushqimore; i nënshtrohet procesit të kategorizimit. Ndaj jemi në pararojë, ku nga ne pritet jo vetëm skanimi i situatës aktuale, ku jemi, por dhe planifikimi dhe përmirësimi i kritereve dhe standardeve sipas kërkesave më të mira europiane.
Ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, politikëbërjen, institucionet, universitetet dhe shoqërinë civile. Synohet arritja e tregut të BE, por mbi të gjitha, garantimi i sigurisë për konsumatorin.
Kapitulli 12 i Acquis të BE-së ndërthur Sigurinë Ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare dhe është një nga kapitujt më kompleksë në procesin e integrimit në BE. Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave, kërkohet përafrimi i legjislacionit, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale dhe atyre laboratorike, për mbulimin e plotë të zinxhirit nga ferma në tavolinë.
Kur ka nisur ky proces dhe kur është afati i përfundimit? Deri më tani në çfarë faze ndodhet, sa është në total numri i stabilimenteve me origjinë shtatzore që do të kategorizohet, sa është numri i atyre që janë kategorizuar?
Procedura e vlerësimit dhe kategorizimit ka nisur më datë 14 prill dhe do të vazhdojë deri në datë 31 korrik 2026.
Qëllimi i procesit të kategorizimit është identifikimi i stabilimenteve që janë në përputhje me kërkesat ligjore:
(Kategoria 1) – Stabilimentet që rezultojnë në përputhje të plotë me standardet e BE-së.
(Kategoritë 2, 3 dhe 4) – Klasifikimi në nënkategori do të shërbejë për të përcaktuar nivelin dhe shkallën e mospërputhshmërisë. Nga ana tjetër, duhen llogaritur burimet dhe afati i nevojshëm për menaxhimin dhe korrigjimin e problematikave të konstatuara, si dhe procedurat që duhen ndjekur për zbatimin dhe monitorimin e procesit të përmirësimit.
Respektimi i kërkesave të sigurisë ushqimore, sipas legjislacionit në fuqi, është i detyrueshëm, pavarësisht rezultatit të kategorizimit dhe në rastet kur konstatohet se një ushqim paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit, do të ndërmerren masa të menjëhershme, nga trupat vlerësuese. Në mënyrë të menjëhershme do të nisë procedura e inspektimit me qëllim ndalimin e hedhjes së produkteve të dëmshme në treg.
Është planifikuar vlerësimi i 904 operatorëve të biznesit ushqimor, nga të cilët deri më tani janë vlerësuar 225 OBU.
Në deklaratat zyrtare përmendet shpesh për përafrim të standardeve me ato të BE-së. A janë të informuara realisht bizneset për këto kërkesa dhe cilat janë problemet më të shpeshta që po hasni në terren te bizneset gjatë këtij procesi?
MBZHR është në proces përafrimi të legjislacionit me BE. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për çdo dispozitë ligjore, detyrim për zbatim nga OBU, merr masa për informimin e tyre përmes organizimit të takimeve të perbashkëta, si dhe organizimin e fushatave sensibilizuese.
Nga ana juaj, çfarë mbështetjeje konkrete po u jepet operatorëve? Bëhet fjalë vetëm për kontroll dhe penalitete, apo edhe për udhëzim teknik dhe asistencë, apo do të vihen në dispozicion bizneseve dhe fonde për të përmbushur investimet për sigurinë ushqimore?
Vlerësimi dhe kategorizimi realizohen nëpërmjet përdorimit të listave të verifikimit, të personalizuara sipas veprimtarive specifike për stabilimentet ushqimore. Listë-verifikimi do të plotësohet me komente në çdo rubrikë, pavarësisht nëse janë identifikuar mospërputhshmëri ose jo. Duke orientuar kështu OBU-të, mbi masat që duhet të marrin për përmirësimin e stabilimenteve.
Pasi të kemi rezultatet e plota, në një fazë të mëvonshme, për stabilimentet e kategorisë 3 do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhshmërive.
AKU mbështetet në ekspertizën teknike të GIZ dhe projektit EUforFoodSafety, të cilët po asistojnë harmonizimin e procedurave, rritjen e standardeve, kapaciteteve dhe informimin.
A ka një plan të qartë masash për bizneset që nuk i plotësojnë standardet? Sa kohë u jepet realisht për përmirësim pas kategorizimit?
Kategoria 1: klasifikohen stabilimentet që ushtrojnë aktivitet në përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.
Kategoria 2: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të vogla që mund të zgjidhen gjatë një periudhe të shkurtër kohore (3-6 muaj).
Kategoria 3: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të konsiderueshme (lidhur me planimetrinë, infrastrukturën e ndërtimit, të cilat kërkojnë punime ose rinovime të mëtejshme dhe burime financiare të konsiderueshme ose stabilimentet që janë dekategorizuar nga kategoria 2) që mund të përmirësohen për një periudhë kohore më të gjatë se ajo e kategorisë 2.
Për këto stabilimente do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhjeve në një fazë të mëvonshme.
Kategoria 4: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri madhore dhe stabilimenti:
përbën rrezik të konsiderueshëm për shëndetin; nuk duhet të hedhë produkte në treg;
duhet të mbyllet sepse nuk është në përputhje me legjislacionin kombëtar;
nuk mund të arrijë standardet e BE-së.
Per kategorinë 4, AKU merr masa për mbylljen e stabilimentit.
Si po koordinoheni me institucionet e tjera dhe me programet e financimit (shtet apo BE) për të ndihmuar bizneset të arrijnë këto standarde?
Ky është një proces në vijim e sipër, në përfundim të të cilit do të përgatitet një plan veprimi për korrigjimin e mospërputhshmërive, duke përcaktuar dhe mekanizmat apo rolin e institucioneve bashkëvepruese.
Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshillit Ekonomik Kombëtar, si dhe projektit EUforFoodSafety, po hartojnë plane të mbështetjes financiare për bizneset dhe ngritje të grupeve të ekspertëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë për të asistuar procesin./ Monitor









