Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se vendimi për dërgimin e trupave shqiptare në rripin e Gazës është ende në fazën e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Ai shtoi se çdo angazhim ushtarak do të bëhet vetëm pasi të përcaktohen qartë detyrat, masat e sigurisë dhe rregullat ligjore që do të udhëheqin veprimet e trupave shqiptare.
“Kemi dërguar një mision vëzhgues në rripin e Gazës për të parë gjendjen e situatës atje, për të vëzhguar mundësitë e vendosjes së trupave tona. E gjithë koordinimi bëhet nga forca ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Jemi në diskutim me gjithë partnerët, duke filluar nga partnerët amerikanë dhe të gjithë të tjerët, për të kuptuar dhe për të pasur të qartë kush janë rregullat e angazhimit, kush janë detyrat specifike që trupat tanë do kryejnë, si dhe masat e sigurisë për zhvillimin e operacioneve. Nuk jam në gjendje sot t’ju jap një përgjigje për shkak se akoma nuk jemi të rakorduar plotësisht me palët, në kuptimin që po definojmë qartë bazat ligjore dhe qasjet që trupat shqiptare do kenë në terren. Rajoni është shumë delikat dhe ka pasur më parë misione paqeruajtëse në Liban; e njëjta formë misioni po zbret tani edhe në rripin e Gazës. Do të jemi ne të parët që do t’ju informojmë qytetarët shqiptarë për mënyrën e angazhimit, detyrat, nivelin e pjesëmarrjes dhe nivelin e rrezikut, sepse besojmë që ky angazhim do të sjellë përfundimisht paqe dhe stabilitet në një rajon me sfida të jashtëzakonshme sigurie,” u shpreh Nufi.









