-sidi education-spot_img
19.9 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Selatin Retkoceri: Fitorja e Kurtit dhe dështimi i opozitës

Kryesoret

Rezultati i zgjedhjeve të sotme dëshmon se Albin Kurti dhe Vetëvendosje arritën ta ruajnë epërsinë politike, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetarët janë të kënaqur me qeverisjen gjashtëvjeçare të tyre.

Një pjesë e madhe e këtij rezultati lidhet me shpërndarjen e mjeteve financiare për kategori të ndryshme të shoqërisë: pagën e 13-të për administratën publike, ndihmat për studentët, pensionistët, nënat lehona, fëmijët dhe kategori të tjera. Vetëm këto skema kapin shifra që i afrohen 200 milionë eurove. Për shumë qytetarë, këto nuk u perceptuan si politika zhvillimore afatgjata, por si masa populiste të dizajnuara për të siguruar mbështetje elektorale në prag të zgjedhjeve.

Megjithatë, pavarësisht këtij mobilizimi financiar, Vetëvendosje pësoi një rënie të konsiderueshme krahasuar me kulmin e saj elektoral. Humbja e dhjetëra mijëra votave brenda një periudhe relativisht të shkurtër tregon se një pjesë e elektoratit ka filluar të shfaqë pakënaqësi ndaj qeverisjes aktuale. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve të mëdha strategjike, stagnimit ekonomik, emigrimit të vazhdueshëm të të rinjve dhe mosrealizimit të shumë premtimeve që u dhanë me entuziazëm në vitin 2021.

Por nëse pushteti ka arsye për reflektim, opozita ka arsye edhe më të mëdha për shqetësim. PDK-ja, LDK-ja dhe partitë e tjera opozitare nuk arritën ta shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në mbështetje për veten. Përkundër gabimeve të shumta të qeverisë, ato nuk ofruan alternativë bindëse, nuk ndërtuan frymë fituese dhe nuk mobilizuan elektoratin e tyre tradicional.

Veçanërisht PDK-ja, e cila pretendon se është alternativa kryesore qeverisëse, nuk arriti ta nxjerrë në votim një numër të konsiderueshëm mbështetësish. Po të kishte ndodhur kjo, diferenca mes partive do të ishte dukshëm më e vogël. Edhe LDK-ja vazhdon të vuajë nga mungesa e profilit të qartë politik dhe nga paaftësia për të rikthyer votuesit që i ka humbur ndër vite.

Prandaj, rezultati i sotëm nuk është vetëm fitore e Vetëvendosjes; është edhe pasojë e drejtpërdrejtë e dobësisë së opozitës. Kur pushteti humb mbështetje, por opozita nuk fiton besim, atëherë status quo-ja mbetet e pandryshuar.

Mesazhi i qytetarëve duket i qartë: një pjesë e tyre kanë filluar ta ndëshkojnë qeverinë, por ende nuk kanë gjetur një alternativë që ua fiton besimin. Derisa opozita të reformohet, të mobilizojë bazën e saj dhe të ofrojë një program më bindës, Vetëvendosje do të vazhdojë të përfitojë jo vetëm nga forca e vet, por edhe nga dobësia e kundërshtarëve të saj politikë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit