“Idetë që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte që janë për shumë të pasurit dhe për të punësuar njerëz nga Bangladeshi, Pakistani apo Filipinet, duke i paguar sa më pak, janë të gabuara dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Është një gabim i madh dhe një gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu. Shqipëria sapo ka filluar të tërheqë interesim nga kapitali i huaj, kryesisht për suksesin që vendi ka pasur në turizëm.
Deri para disa vitesh nuk kemi pasur asnjë investim të huaj në turizëm, edhe pse bukuritë natyrore ishin po aq të paprekura sa sot. Interesi i parë i madh ishte për Portin Turistik të Durrësit, dhe pas tij ka filluar rritja graduale e investimeve të huaja. Ideja që sipërmarrjet vijnë për të shfrytëzuar krahun e punës të lirë dhe për të shkatërruar natyrën është e pavërtetë. Nuk ka prova që kapitali i huaj të ketë luajtur ndonjë rol në dëmtimin e mjedisit apo shkatërrimin e natyrës në Shqipëri. E kundërta është e vërtetë: investimet vijnë për të kontribuar dhe për të zhvilluar turizmin shqiptar,” tha Rama.









