Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vizitoi Athinën ku u takua me homologun grek Nikitas Kaklamanis. Gjatë takimit u theksua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve miqësore dhe strategjike, përfshirë bashkëpunimin në NATO dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Peleshi falenderoi Greqinë për mbështetjen në procesin e anëtarësimit në BE dhe ritheksoi objektivin për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027.
Të dy kryetarët diskutuan edhe për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe turizmit, si dhe për rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, si ura lidhëse mes dy vendeve.
“Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi janë ura që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona,” tha Peleshi.
Takimi përfundoi me riafirmimin e përkushtimit për dialog të hapur dhe bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.









