Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka bërë thirrje për shtimin e kontrolleve në sektorët që lidhen me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke theksuar se gjatë sezonit turistik inspektimet duhet të jenë më intensive për të garantuar respektimin e standardeve.
“Siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të punës sonë, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur rritet edhe numri i konsumatorëve. Për këtë arsye do të shtohen kontrollet në stabilimentet e përpunimit të qumështit, si dhe në subjekte të tjera që lidhen me mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit. Në fokus do të jenë edhe kontrolli i përdorimit të pesticideve në produktet bujqësore, si dhe aktivitetet që kanë ndikim ndotës. Paralelisht po vijon edhe procesi i ristrukturimit të inspektorateve për të rritur eficiencën e tyre”, deklaroi Sula.









