Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West me fonde nga buxheti i shtetit, duke ngritur kritika për përdorimin e fondit rezervë të emergjencave.
Në deklaratën e saj, Zhupa tha se aktivitetet private duhet të mbështeten nga organizatorët dhe jo nga fondet e parashikuara për situata emergjente.
“Ardhja e artistëve ndërkombëtarë në Shqipëri nuk është problem dhe ne nuk kemi qenë kundër organizimit të koncerteve apo aktiviteteve të tilla. Por kur bëhet fjalë për një aktivitet privat, ai duhet të financohet nga organizatorët përmes shitjes së biletave, sponsorëve dhe investimeve private. Fondi i emergjencave është krijuar për situata të jashtëzakonshme si tërmete, përmbytje, zjarre dhe raste që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, jo për të mbuluar shpenzime të një aktiviteti privat”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.









