Situata e krizës së gazit natyror në Europë nuk po përmirësohet. Rezervat janë të ulëta.
Çmimet janë të larta. Konsumatorët po përballen me fatura gjithmonë e më të shtrenjta. Furnizuesi kryesor rus Gazprom nuk po furnizon më me gaz si dikur.
E gjithë kjo ngre pyetjen: si do të mundet Europa, e cila pjesën më të madhe të nevojave të energjisë i përmbush nëpërmjet importit, ta kalojë këtë dimrër pa një katastrofë të gazit natyror, aq më tepër nëse sezoni rezulton të jetë më i ftohtë ose më i gjatë se zakonisht.
Ja se si Bashkimi Europian, shtëpia e 447 milionë njerëzve, do të përpiqet ta përballojë këtë krizë:
Problemi është te nivelet e ulëta të depozitimeve. Në rastet kur ka një rritje të papritur të kërkesës për gaz, i cili përdoret për ngrohje dhe për energji elektrike, ofruesit e gazit varen nga depozitat nëntokësore për të përballuar kërkesën e shtuar. Europa e nisi vitin 2021 me depozitat e gazit që ishin të mbushura në vetëm 56% të kapacitetit të tyre, krahasuar me 73% që ishin rezervat e një viti më parë. Arsyet janë të ndryshme: moti i ftohtë i dimrit të kaluar, mungesa e furnizimeve nga Rusia dhe shtimi i madh i kërkesës në Azi për gaz natyror të lëngshëm. Shoqata europiane e operatorëve të tubacioneve të gazit thotë se moti i ftohtë do të nënkuptonte nevojën për të importuar 5% deri në 10% më shumë gaz se sa vëllimet maksimale të viteve e fundit, në mënyrë që të shmanget rreziku i ndërprerjeve të furnizimit.
Si rezultat, çmimet e gazit janë rritur. Çmimi referencë në Europë është rreth 80 euro për megavat orë, më shumë se katër herë më i lartë se çmimi prej 19 euro në fillim të vitit 2021 dhe akoma më i lartë krahasuar me çmimin prej vetëm 4 euro në vitin 2020. Kjo rritje e çmimit po ndikon te faturat e gazit, duke alarmuar konsumatorët dhe politikanët.
Europa po mbështetet te çmimet e larta për të tërhequr sa më shumë furnizime. Analistët e Rystad Energy përdorën të dhënat e gjurmimit të anijeve muajin e kaluar dhe vunë re se 11 cisterna që po transportonin gaz natyror të lëngshëm për në Azi bënë një kthesë në mes të oqeanit për të përfituar nga çmimet e larta në Europë, që do të ishin shumë fitimprurëse për këto kompani. Si pasojë e çmimeve kaq të larta, tregtarët ndryshuan destinacionet e dërgesave të tyre të gazit të lëngshëm, duke i shitur ato në Europë, edhe nëse u duhej të ofronin 100% të çmimit si kompensim, sipas analistëve të Energy Intelligence.
“Nuk do të thoja se gazi natyror i lëngshëm është 100% i mjaftueshëm, por pa dyshim që do të luante një rol shumë të rëndësishëm” në zgjidhjen e krizës energjetike të Europës, tha Xi Nan, shefi i sektorit të tregjeve të gazit natyror të lëngshëm në Rstad.
Rusia nuk ka dërguar shumë gaz. Kompania me pronësi shtetërore Gazprom ka shitur më pak gaz dhe nuk i ka furnizuar depozitat e gazit për Europën aq sa i furnizon normalisht, por zyrtarët rusë theksojnë se kompania ka përmbushur detyrimet e saj të furnizimit sipas kontratave afatgjata që ka me palën europiane.
Analistët besojnë se Rusia, në këtë mënyrë, mund të jetë duke theksuar dëshirën e saj që Europa të miratojë gazsjellësin Nord Stream 2, i cili furnizon Gjermaninë duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën. Gjithashtu, janë rritur edhe tensionet lidhur me vendosjen e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Shefi i BE-së për antitrustet tha të enjten se kufizimet e furnizimeve nga Gazprom janë “të dyshimta” në rrethanat kur çmimet janë rritur, duke kërkuar një shpjegim për këtë nga kompania dhe furnizuesit e tjerë. Komisionerja e Konkurrencës, Margrethe Vestager, e përshkroi sjelljen e Gazprom si “mjaft të pazakontë nga logjika e tregut”.
Dimri i butë është thelbësor. Moti në Europë dhe Azi deri më tani ka qenë relativisht i butë. Ndërkohë, pritet që furnizimet me më shumë gaz të lëngshëm të rriten së shpejti, ndërsa çmimet e larta i kanë detyruar industritë të përdorin më pak gaz, duke ulur prodhimin. Ndërkohë, Norvegjia, një ndër furnizuesit e Europës, ka shtuar dërgesat e gazit.
“Kjo do të thotë se mund ta kalojmë këtë dimër edhe nëse fluksi i furnizimeve ruse mbetet kaq i ulët sa është,” tha James Huckstepp, menaxher në S&P Global Platts për analizën e të dhënave të gazit për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. “Nuk do të thosha ende se kriza është shmangur, sepse vazhdon të ekzistojë rreziku i temperaturave të ulëta, ndërsa depozitimet mbeten të ulëta.”
Nëse ka ngrica të papritura, “mund të ketë një skenar më ekstrem, me ndërprerje të detyruara të furnizimit me gaz – që do të nisnin fillimisht me industrinë dhe do të përfundonin duke rrezikuar konsumatorët,” tha Huckstepp, shkruan Revista Monitor.
Në planin afatshkurtër. Qeveritë europiane po ofrojnë subvencione cash për konsumatorët në mënyrë që të zbusin ndikimin negativ të krizës. Suedia njoftoi të mërkurën se do të ofronte 6 miliardë korona (661 milionë dollarë) për të ndihmuar familjet më të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike.
Në planin afatgjatë. Zgjidhja është rritja e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë, si era dhe dielli. Megjithatë, zyrtarët pranojnë se gazi do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm për vite të tëra, ndërkohë që ndodh tranzicioni gradual drejt burimeve të rinovueshme.