Këtë muaj, Fan Noli përkujtohet për 140-vjetorin e lindjes. Shtetar, atdhetar, klerik, poet, përkthyes, publicist, apo edhe deri te muzikolog, figura poliedrike e këtij intelektuali ndriçon ende.
Një ekspozitë me titull “Noli në optikën e historisë”, me botimet origjinale dhe në përkthim të Fan Nolit është çelur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Fan Noli është konsideruar para kohës në të cilën jetoi. Ai përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit, etj. Një dritare e padëgjuar më herët për Shqipërinë e asaj kohe. Si dhe si historian botoi veprën “Historia e Skënderbeut”.
Nga viti 1909 deri më 1911, ai botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës.
Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Florida, ku vdiq më 13 mars 1965.