Kosova ka shumë vende të bukura që ia vlen të vizitohen, në veçanti natyra është pjesa më atraktive dhe e bukur.
1. Gjeravica
Gjeravica është maja më e lartë në Kosovë dhe një atraksion i vërtetë për dashamirët e natyrës, që mund të pushtohet nga secili e që mund të mburren me këtë ngjitje.
Për të bërë këtë nuk është dhe shumë vështirë. Pas një udhëtimi me makine prej 1 orë me xhip prej Junikut, ju pret një ecje 4 deri 6 orë.
Kjo ngjitje do të ju ofrojë pamje spektakolare, ndërsa në stinën e verës mundësi për të notuar në disa nga liqenet më të bukura glaciale në Kosovë.
2. Artana (Novobërda)
Artana (Novobërda) është një ndër vendet më të rëndësishme të Kosovës sa i përket historisë mesjetare.
Ne këtë qytet dikur kanë jetuar mbi 50 mijë banorë dhe këtë popullatë e kanë bërë minatorët saksonë, otomanët, kozakët, shqiptarët, sllavët dhe shumë popuj tjerë që janë sjellë në këtë vend për të shfrytëzuar minierat e argjendit.
Realisht, në mesjetë Novobërda ka qenë një New York apo Londër e sotme, pasi që ka qenë një metropol i vërtetë që ka ofruar vende pune për njerëz të kualifikuar në zejen e nxjerrjes dhe përpunimit të argjendit.
3. Via Ferrata Ari – Pejë
Via Ferrata është një strukturë e metaltë që ngjitet në shkëmbinjë, ndërsa dashamirëve të natyrës iu ofron mundësinë që të përjetojnë ngjitjen pa qenë alpinistë të specializuar.
Është kjo një përvojë unike që ofrohet në Kosovë vetëm nga viti 2014. Me ngjitjen e saj ju do të përjetoni pamje fantastike të Grykës së Rugovës dhe të qytetit të Pejës.
Pas ngjitjes vertikale ju pret një ecje e lezetshme nëpër një rrugë të ngushtë me vegjitacion të bollshëm dhe shenja të shtazëve të egra aty.
Me ngjitjen në Via Ferrata Ari ju do të keni shansin që të provoni edhe urën e vetme të varur në Kosovë.
4. Liqenet e Mirushës
Është një mrekulli natyrore e cila të mahnit sa herë e shikon. Vizita e këtyre liqeneve nuk përfundon me pamjen fenomenale të Liqenit të Madh, pasi për të përjetuar tërë udhëtimin – duhet të ngjiteni dhe të shihni tërë liqenet në mënyrë që të keni ndjesinë e plotë.
5. Bjeshka e Liqenatit dhe Guri i Kuq
Bjeshka e Liqenatit dhe Maja e Gurit të Kuq i ofrojnë secilit vizitor pamjen e “shtatë palë” bjeshkëve, dy liqene glaciale, vegjetacion pyjor dhe bjeshkë shkëmbore.
Gjatë periudhës së verës në liqen mund dhe të notohet, teksa përrojet dhe burimet e shumta ofrojnë ujin më të mirë në botë.
Në lartësi mbi 2500 metra, Guri i Kuq është një vend shumë i pasur me bimësi të ndryshme dhe ka një rrugë e cila ofron pamje në bjeshkët e Malit të Zi, qytetin e Pejës dhe Bjeshkët e Drelajve dhe të Shkrelit.
Ecja kalon nëpër një luginë dhe kreshtë bjeshke që nuk do të harrohet.
6. Ura e Fshejtë
Është një nga urat më të njohura në Kosovë prej nga bëhen edhe kërcimet vjetore në ujë.
Ura e Fshejtë është ndërtuar mbi kanion dhe është e gjatë 70m. Thellësia prej harkut deri te shtrati i ujit është 30 m.
Ndër të tjera, ura, apo më saktësisht rrethina e saj, shërben edhe si pushimore verore ku ngrihen çadrat e qytetarëve.
Po ashtu rreth saj ka shtëpiza që shërbejnë për kalimin e ditëve të verës. /Kosovarja/