Ka vende si Republika e Maqedonisë së Veriut ku të drejtat individuale zbatohen kolektivisht, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët shtypi në Sofje me kryeministrin bullgar Kiril Petkov, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Në kushtetutën tonë, përveç popullit maqedonas, ka edhe shqiptarë dhe të tjerë që përbëjnë komunitetet e tjera që janë pjesë e kushtetutës dhe normalisht nëse qytetarët e tjerë në vend që vetëvendosen në një mënyrë tjetër dhe ata mund të kërkojnë që të jenë pjesë e Kushtetutës së RMV-së”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai shpjegoi edhe për mediat bullgare se është një proces që po kalon nëpër ndryshime kushtetuese, i cili ka disa hapa në të cilin janë përfshirë disa institucione.
“Nëse kjo ndodh dhe është normale që një gjë e tillë të ndodhë në rrugën e një vendi drejt BE-së, sepse atëherë hapet kushtetuta që të bëhen përshtatje të tjera. Pastaj përmes atij procesi sigurisht që do të mbulohen ato çështje në bazë të kërkesave të qytetarëve”, tha Kovaçevski.
Kryeministri bullgar Petkov e falënderoi Kovaçevskin se shumë qartë e ka përshkruar gjendjen në lidhje me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Petkov gjithashtu njoftoi se janë nënshkura tre memorandume shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, bujqësisë dhe infrastrukturës. Takimi i radhës është pas një jave dhe kjo do të jetë dinamika e punës.
“Grupi i historisë do të ketë tre takime në katër muajt e ardhshëm. Realisht këto memorandume kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të rajonit, të cilin zhvillim do ta ndiejnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë”, deklaroi Kirill Petkov./Telegrafi/