Kina u ka thënë Shteteve të Bashkuara se dëshiron që të gjitha palët e përfshira në Ukrainë të mbeten të qeta dhe ta shmangin rritjen e tensioneve, ndërsa ShBA-ja e theksoi shtensionimin dhe paralajmëroi për rreziqe ekonomike dhe të sigurisë nga agresioni rus.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe sekretari amerikan i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, folën përmes telefonit rreth Ukrainës në një telefonatë të zhvilluar të mërkurën, shkruan Reuters.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë të qeta dhe të përmbahen nga bërja e gjërave që nxisin tensione dhe që e rrisin krizën”, i tha kryediplomati kinez homologut amerikan, sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Në anën tjetër, Departamenti i Shtetit lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet: “Sekretari Blinken e përçoi mesazhin se shtensionimi dhe diplomacia janë rruga e përgjegjshme për të ecur përpara. ShBA-ja gjithashtu tha se pjesë e bisedës me diplomatin kinez ishin edhe rreziqet ekonomike dhe për sigurinë globale, të paraqitura nga agresioni i mëtejmë rus kundër Ukrainës.
Ministri kinez, qartazi duke iu referuar ankesave të Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s në lindje të Evropës, i tha Blinkenit se siguria e një vendi nuk duhet të jetë në kurriz të sigurisë së të tjerëve dhe se siguria rajonale nuk mund të garantohet përmes fuqizimit ose edhe zgjerimit të blloqeve, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.
“Për ta zgjidhur çështjen e Ukrainës, ende duhet të kthehemi te Marrëveshja e re e Minskut. Marrëveshja e re e Minskut, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit, është një dokument themelor politik, i njohur nga të gjitha palët, dhe duhet të zbatohet në mënyrë efektive. Përderisa bëhen përpjekje në linjë me drejtimin dhe frymën e marrëveshjes, Kina do t’i përkrahë ato”, thuhet në deklaratën e autoriteteve kineze.