Koreja e Veriut ka kryer atë që besohet se është testimi i raketës më të madhe prej vitit 2017. Arma duket se ka qenë raketë me rreze të mesme, e cila ka arritur në lartësi prej 2,000 kilometrash para se të rrëzohej në Detin e Japonisë.
Japonia, Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar këtë testim – të shtatin këtë muaj.
Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore, prandaj edhe kanë vendosur sanksione.
Mirëpo ky shtet i Azisë Lindore ka shkelur vazhdimisht ndalesën dhe lideri Kim Jong Un, është zotuar se do të rrisë kapacitetet shtetërore për mbrojtje.
Ekspertët sugjerojnë se ekzistojnë disa arsye mbrapa lëshimit, duke përfshirë shpërfaqjen e forcës para fuqive rajonale dhe atyre globale, si dhe nevojën praktike për të testuar sistemet e komandës ushtarake.
Edhe periudha ka rëndësi, pasi testimet janë kryer para nisjes së Lojërave Olimpikë Dimërore në Kinë dhe zgjedhjeve presidenciale të Koresë Jugore, të cilat janë planifikuar për muajin mars.
‘Akte destabilizuese’
Koreja Jugore ka raportuar se raketa është lëshuar në orët e para të mëngjesit të së dielës nga brigjet lindore të Koresë Veriore.
Zyrtarë japonezë dhe ata nga Koreja e Jugut kanë vlerësuar se raketa ka arritur një lartësi prej 2,000 kilometrash dhe ka fluturuar për 30 minuta në distancë prej 800 kilometrash.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Koresë Veriore “të përmbahet nga akte tjera destabilizuese”.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in ka thënë se testimet e këtyre raketave çojnë në mend tensionet e vitit 2017, kur Koreja Veriore pati kryer disa testime të raketave bërthamore.
Sipas agjencisë së lajmeve, Yonhap, raketa e testuar më 30 janar duket se është e ngjashme me raketën, Hwasong-12, e cila është testuar më 2017. / REL