Atletja shqiptare Luiza Gega vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar paraqitje shumë të mira në çdo eveniment ku merr pjesë. Suksesi më i fundit i atletes kuqezi vjen në “Meeting de Miramas” në Francë.
Gega e ndali kronometrin në kohën 8:50.08 në garën e 3000 metrave në salla të mbyllura, rezultat që është rekord në Miramas.
Koha mund të kishte qenë edhe më e mirë, por Luiza krijoi një shkëputje të madhe nga rivalet dhe bëri një garë thuajse e vetme.
Por nuk mbaron këtu, pasi paraqitja e atletes së Tiranës u shpall si “best performance” e të gjithë eventit, në një turne ku merrnin pjesë sportistë elitarë dhe medalistë olimpikë.
Ndalesa e radhës për kampionen e atletikës shqiptare është më 5 mars në Ballkaniadë, kompeticion që do të shërbejë si testues për finlen e Botërorit të sallave të mbyllura që do të mbahet më 18 mars në Beograd, aty ku Gega do të kërkojë historinë duke synuar një vend në top-5./ Panorama Sport