-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Plakja në mënyrë krijuese, çfarë duhet të mësojë bota nga Japoni?

Kryesoret

Çfarë mund të mësojë bota nga Japonia. Ky vend i vjetër mund t’u mësojë shumë atyre vendeve që së shpejti do të plaken dhe tkurren, shkruan The Economist.

Për Japoninë, zakonisht jepen dy përshkrime të ndryshme. I pari tregon një komb në rënie, me një popullsi që po tkurret dhe plaket, dhe që e ka humbur vitalitetin.

I dyti tregon një shoqëri të zhvilluar, funksionale dhe disi ekscentrike, një vend të këndshëm për të ngrënë sushi ose për të eksploruar kultura të çuditshme, por jo me shumë rëndësi për botën e jashtme. Të dyja këto përshkrime ndikojnë që njerëzit ta shpërfillin Japoninë. Kjo është e gabuar.

Japonia nuk është një vend që duhet shpërfillur, përkundrazi, prej tij mund të nxirren shumë mësime. Shumë nga sfidat me të cilat përballet vendi, tashmë po prekin edhe vendet e tjera, ose ato do të preken në një të ardhme të afërt, si plakja e shpejtë, problemi me laicitetin e fjetur, rreziku i fatkeqësive natyrore dhe rreziku i përfshirjes në luftën tregtare midis Kinës dhe Amerikës. Fakti që disa nga këto probleme goditën Japoninë herët, e bën atë një laborator të dobishëm për të vëzhguar efektet e tyre dhe për të gjetur përgjigjet e mundshme.

Një mësim që na jep Japonia është se shoqëritë duhet të mësojnë të jetojnë me rrezikun. Ndërsa shtohen ndryshimet klimatike dhe rreziqet natyrore, vendet duhet të jenë në gjendje të përballen dhe të rimëkëmben nga goditjet. Përvoja e dhimbshme e ka shtyrë Japoninë të investojë në fleksibilitet.

Urat dhe ndërtesat janë të ndërtuara posaçërisht për t’i bërë ato të qëndrueshme ndaj tërmeteve. Pas një tërmeti të madh që goditi qytetin Kobin në vitin 1995, duke lënë shumë njerëz pa ujë, qyteti ndërtoi një sistem nëntokësor për të ruajtur furnizimin 12-ditor për banorët.

Shumë japonezë e kuptojnë se reagimi ndaj fatkeqësive është problemi i të gjithëve, jo vetëm i shtetit. Ky mentalitet ka ndihmuar shumë gjatë pandemisë: vënia e maskave ka qenë praktikisht universale. Ndër vendet e G7-s, Japonia ka shkallën më të ulët të vdekjeve nga Covid-19 dhe shkallën më të lartë të vaksinimit të dyfishtë.

Një mësim tjetër që na jep Japonia është se demografia ka rëndësi. Shumica e shoqërive do të plaken dhe do të tkurren si Japonia. Deri në vitin 2050, 1 në 6 njerëz në botë do të jenë mbi 65 vjeç, nga 1 në 11 në vitin 2019. Popullsia e 55 vendeve, duke përfshirë Kinën, parashikohet të ulet nga tani deri në vitin 2050. Të dhënat e fundit tregojnë se India do të tkurret më shpejt se sa pritej.

Ashtu si ndryshimi klimatik, ndryshimi demografik është gradual dhe në dukje abstrakt, derisa vjen një pikë kur është i dukshëm. Dhe ashtu si ndryshimi klimatik, ai kërkon një transformim si të institucioneve, ashtu edhe të sjelljes individuale.

Të qëndruarit aktiv për një kohë më të gjatë është me rëndësi thelbësore. Qeveria japoneze u kërkon kompanive të mbajnë stafin deri në moshën 70 vjeç: 33% e 70-74-vjeçarëve tani janë të punësuar, në krahasim me 23% një dekadë më parë.

Ndryshimi demografik sjell edhe sfida të mëdha ekonomike. Rritja e ngadaltë ekonomike e Japonisë është shkaktuar kryesisht nga tkurrja e popullsisë. Megjithatë, po të vëzhgojmë mirëqenien e japonezëve individualë, gjendja është shumë më e mirë. Në dekadën nga viti 2010 deri në 2019, Japonia gëzonte normën e tretë më të lartë mesatare të rritjes së PBB-së për person në grupin G7, pas Gjermanisë dhe Amerikës.

Japonia është një kreditor i madh dhe ekonomia e tretë më e madhe në botë. Banorët e saj jetojnë më gjatë se qytetarët e çdo vendi tjetër. Ajo është shtëpia e investitorit më të madh të teknologjisë në planet, një firme pioniere 5G dhe një sërë markave globale, si Uniqlo dhe Nintendo.

Ekspertiza në robotë dhe sensorë i ndihmojnë firmat e saj të fitojnë para nga një gamë e gjerë teknologjish të reja industriale. Gjeopolitikisht, Japonia luan një rol kyç midis Kinës, partnerit të saj më të madh tregtar, dhe Amerikës, partnerit të saj kryesor të sigurisë. Ajo nuk është aspak një vend që mund të shpërfillet në skenën globale.

Gabimet e Japonisë na japin mësime të tjera. Jetesa me shumë rreziqe e bën më të vështirë përcaktimin e prioriteteve. Përballë kaq shumë rreziqeve të mundshme, Japonia e largoi vëmendjen nga ndryshimi i klimës, katastrofa më e madhe aktuale nga të gjitha. Në vitin 2020, më në fund, vendi u zotua të arrinte emetimet neto zero të karbonit deri në vitin 2050, por detajet janë ende të paqarta.

Politikanët i kanë varur ende shpresat në rindezjen e centraleve bërthamore të goditura pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011; kjo nuk ka gjasa të ndodhë për sa kohë që publiku i mbivlerëson rreziqet e energjisë bërthamore. Ndërkohë, shumë burokratë, mbeten skeptikë ndaj idesë së energjisë së rinovueshme. Japonia vazhdon të djegë qymyr, që është karburanti më ndotës.

Një mënyrë për të përballuar popullsinë në tkurrje është duke përfituar sa më shumë nga njerëzit. Japonia nuk do të përmbushë kurrë potencialin e saj, për sa kohë që shumë prej qytetarëve me arsim të lartë u mohohet shansi për të përmbushur potencialin e tyre. Promovimi i bazuar në vjetërsi në kompanitë më tradicionale, i kombinuar me respektin e tepruar ndaj personave flokëthinjur, i heshtin zërat e rinj dhe mbysin risinë.

Kjo është arsyeja pse shumë nga të sapodiplomuarit më të zgjuar parapëlqejnë të punojnë për kompanitë startup. Japonia ka bërë një punë të mirë për të përfshirë më shumë gra në fuqinë punëtore vitet e fundit, por ato ende kanë shumë pak shanse për t’u ngritur në detyrë. Një sistem i dyfishtë i punës i bllokon të rinjtë dhe gratë në punë të pasigurta me kohë të pjesshme (gjë që, ndër të tjera, i bën ata më pak të prirë për të pasur fëmijë).

Politikanët i tolerojnë të gjitha këto pjesërisht sepse ndiejnë pak presion për të ndryshuar. Partia Liberale Demokratike ka mbetur në pushtet, pothuajse në mënyrë të pandërprerë, që nga viti 1955, falë një opozite tepër të dobët.

Personalitete të larta, zakonisht burra të moshuar nga dinastitë politike, janë më konservatorë sesa publiku që pritet të përfaqësojnë. Nga ana tjetër, për publikun, komoditeti i sotëm zbeh impulsin për të kërkuar një të nesërme më të ndritshme. Mësimi i fundit që mund të nxjerrim nga Japonia ka të bëjë me rrezikun e vetëkënaqësisë. / Monitor.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit