Prej orës 10:00 të ditës së sotme ka nisur dhe po zhvillohet seanca e tretë në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. E ndërsa kreu i shtetit sërish nuk është paraqitur vetë, përballë Taulant Ballës dhe Koltilda Bushkës janë juristët e Presidentit.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është shprehur se “Kuvendi na vuri në dispozicion përgjigjet e pyetjeve. Dokumentet e Kuvendit u janë shpërndarë anëtarëve të trupit gjykues dhe një kopje e tyre i është dërguar Presidentit”.
Në seancën e fundit, përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit.
Sipas tyre, Presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor. Ndërsa një tjetër moment ku u ndal mbrojtja e Presidentit ishte fakti se Kuvendi nuk kishte legjitimitet për të kryer hetimin.
Pas pretendimeve të Presidencës, trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese drejtoi 70 pyetje ndaj tyre. Nuk dihet nëse gjykata do të dalë sot me një vendim apo do të ketë një tjetër seancë.
/5pyetjet.al