Këtë javë vazhdon dialogu ndërmjet grupeve të punës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për të cilat ranë dakord kryeministrat e të dy vendeve Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov.
Pas bisedimeve të javës së kaluar në Sofje, është planifikuar edhe takim i ri për pakon e çështjeve politike, këtë herë në Shkup. Të dy vendet caktuan çështjet prioritare për të cilat do të kërkohet zgjidhje. Për palën maqedonase janë çështjet e identitetit në kornizën negociuese si zgjidhje evropiane, ndërsa për palën bullgare çështja e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Takimi i dytë i ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme nga të dy vendet për çështjet politike do të mbahet në Shkup pas 20 shkurtit.
Shefi i diplomacisë Bujar Osmani thotë se pozicionet ende janë të ndryshme, por dialogu për gjetje të zgjidhjeve të përbashkëta vazhdon.
“Pozitat tona shtetërore janë të qarta dhe nuk ka ndryshime. Çështjet më të rëndësishme për ne janë çështjet e identitetit në kornizën negocuese si zgjidhje evropiane, për ta është çështja e komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo e identifikon në ndonjë mënyrë rrugën përmes së cilës duhet të zhvillohet ky proces. Pakoja e çështjeve politike i përfshin çështjet që janë të rëndësishme për ne, dy janë kërkesa të rëndësishme për ne, e ajo është pranimi i kornizës negocuese, siç është propozuar nga ana e Komisionit Evropian, posaçërisht lidhur me atributet e identitetit dhe fillimin e negociatave. Nga ana e Bullgarisë janë çështjet lidhur me të drejtën e vetpërcaktimit në bazë të rregullimit shtetëror, fjalës së urrejtjes dhe rehabilitimit të viktimave të komunizmit. Kjo është pako e çështjeve ku janë përfshirë elemente nga njëra apo pala tjetër”, sqaroi Osmani.
Ai mendon se për momentin nuk nevojiten provokime dhe keqpërdorim të çështjes nga politika, por duhet çtensionim i marrëdhënieve.