-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar festën e Pavarësisë, gjatë seancës së mbajtur sot në kuvend

Kryesoret

Presidentja Vjosa Osmani, iu është drejtuar qytetarëve dhe të pranishmëve në sallë, nga Kuvendi i Kosovës në nderë të shënimit të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo u shpreh se Kosova fuqishëm edhe sot, qëndron me aleatët e saj, në anën e demokracisë.

Tutje ajo përmendi edhe letër-urimin e dërguar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili për dialogun tha se duhet të përqendrohet në njohje reciproke.

Për më shumë lexoni fjalimin e plotë të Presidentes Osmani në Parlamentin e Kosovës:

”Në këtë sallë, 14 vjet më parë,  Kosova u shpallë shtet, duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve tanë për të jetuar në një vend sovran e të pavarur. Aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë e Kosovës, e cila hapi një kapitull të ri jo vetëm për ne, por edhe për globin, duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë.

Rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë. Populli i Kosovës ka përjetuar kalvarin nën regjimin gjenocidal të Serbisë. U dashtë shumë mund, sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë, e po aq edhe për ta bërë shtetin.

Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri e shtet. Nën udhëheqjen e atit themeltar, presidentit dr.Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit si një parakusht për stabilitet në rajon.

Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt. Prandaj, për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh, me të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në atë të armatosur.

Vajza e djem të UÇK-së, u bënë gardian të atdheut, duke vendosur përmbushjen e idealit për lirinë e vendit si aktin më sipëror për Republikën tonë.

Secila luftë i ka heronjtë e vet. Komandanti Adem Jashari bashkë me familjen e tij u bë fli për këtë liri që e gëzojmë sot. Ne do ta nderojmë përjetësisht figurën e tij, bashkë me mijëra dëshmorë të luftës sonë çlirimtare, të cilët i dhanë hov përpjekjes për çlirim. Sot i nderojmë edhe të gjithë ata invalidë të luftës, të cilët nuk hezituan të japin gjithçka për liri. Sikurse do t`i kujtojmë përherë viktimat civile të luftës sonë. Të gjithë meritojnë respekt e nderim, sepse ky shtet është ndërtuar edhe mbi gjakun e 1133 fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës, të cilët u shndërruan në lule të lirisë.

Jemi këtu sot, jo vetëm falë angazhimit e sakrificës sonë, por edhe sepse patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti para vuajtjeve tona.

Sot këtu në mesin tonë kemi prezentë ambasadorë e përfaqësues diplomatik të vendeve, të cilat më 1999 u vunë në anën e drejtë të historisë, duke na mbrojtur nga shfarosja. Këto shtete mike u vunë në anën e lirisë si një e drejtë njerëzore. Prandaj liria jonë i dedikohet edhe shteteve mike që na u gjenden në ditë të rënda për popullin tonë.

Ishte NATO-ja që i dha vulë lirisë sonë. ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, dhe shumë shtete të tjera të botës së lirë kontribuuan jo vetëm për lirinë, por edhe për paqen tonë. Ne edhe sot e kësaj dite nuk jemi vetëm. Këto shtete edhe më tej janë në anën tonë. Ndaj, faleminderit për atëherë, por faleminderit edhe për sot!”

”Rrugën evropiane të Kosovës nuk mund ta bëjmë pa ndihmën e këtyre shteteve mike. Siç e kurorëzuam lirinë dikur me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë që me ndihmën e tyra ta përmbyllim edhe procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, anëtarësimin në Kombe të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Por, liria kërkon mirëmbajtje. Gjithmonë ka forca destruktive që e cenojnë atë. Sot, Kosova, rajoni, por edhe gjithë globi po përballet me rreziqe të shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë. Tendencat destabilizuese të saj, nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit.

Përpjekje të tilla i dënojmë fuqishëm, siç e dënojmë edhe kërcënimin e hapur dhe tendencën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kjo përplasje nuk është vetëm një luftë ndërmjet dy shteteve, por edhe përpjekje për krijimin e një rendi të ri botëror. Është një konflikt i ashpër ndërmjet demokracisë e lirisë së popujve në njërën anë me autokracinë në anën tjetër, që synon ta rrëmbejë të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe siç duan ata. Për të gjithë ata që pyesin pse merremi me Ukrainën edhe sot, po u jap si përgjigje deklaratën e përfaqësuesit të SHBA-ve në OSBE, i cili tha: “Kjo krizë është shumë më e madhe se sa thjeshtë një krizë në Ukrainë. Kjo ka të bëjë me llojin e botës në të cilin duam të jetojmë. Një botë në të cilën tanket dhe raketat e një fqinji të fuqishëm mund të vendosin fatinë një vendi fqinj APO një botë në të cilën qytetarët lirshëm zgjedhin të ardhmen e vendit të tyre për veten e tyre.”

Prandaj, ne jemi fuqishëm në anën e aleatëve tanë dhe në anën e demokracisë.

Kosova sot nuk është as ajo e qershorit të vitit 1999, as ajo e 17 shkurtit të vitit 2008. Megjithatë, liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot i kujtojmë edhe mbi 1600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mbanë peng Serbia. Por, një është e sigurt që nuk do të pushojmë asnjë çast që familjet e tyre ta gjejnë qetësinë. E vërteta mund të vonohet, porse jo edhe të shmanget përjetësisht. 

Procesi i dialogut me Serbinë duhet ta ketë një epilog, të tillë siç e përkufizoi Presidenti Biden në urimin për 14 vjetorin e pavarësisë: që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke.

Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t`i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë. Rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë. Tërësia territoriale e Kosovës, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme.

Shteti ynë ka sfida, por megjithatë 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë,  është më i konsoliduar në shumë aspekte.

Por, ende ka punë për t`u bërë. Në këtë 14 vjetor, ne jemi krenar, porse jo edhe të vetëkënaqur.

Nuk do të mjaftohemi asnjëherë deri sa shtetin tonë ta bëjmë të tillë çfarë e dëshiruan ata që ranë për të.

Të ardhmen e kemi në duart tona. Mjafton të shpresojmë, të duam dhe të mundohemi që Kosovën ta bëjmë më mirë se dje. Ky shtet është i yni, ndaj duke e ndjerë përkatësinë ndaj tij, ta ngjallim shpresën dhe t`u themi brezit të ri, se Kosova është shtëpia e tyre, ku ata e ndërtojnë perspektivën e tyre sot, por më shumë nesër.

Urime dita e pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës!”

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit