Lojërat Olimpike Dimërore po përballen me polemika të reja politike pasi një zyrtar i Lojërave hodhi poshtë akuzat për shkeljet e të drejtave të njeriut në mesin e popullsisë muslimane ujgure duke i quajtur si “gënjeshtra”.
Zëdhënësja e Lojërave të Pekinit, Yan Jiarong deklaroi gjithashtu se Tajvani është pjesë e Kinës.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë vazhdimisht se Lojërat duhet të jenë të lira nga politika.
Yan i bëri komentet e saj në një konferencë të përditshme për media të enjten.
Ajo foli pasi zëdhënësi i IOC Mark Adams u pyet në një konferencë shtypi në lidhje me praninë e Tajvanit në ceremoninë e mbylljes të së dielës.
Pas komenteve të tij, Yan tha: “Ka vetëm një Kinë”
Deklarata e saj përsërit qëndrimin e Kinës ndaj Tajvanit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin ajo e pretendon si territorin e saj “të shenjtë”, raporton BBC.
Më vonë, ajo ndërhyri kur një gazetar i drejtoi një pyetje IOC-së në lidhje me materialet nga rajoni Xinjiang i Kinës që përdoreshin në veshje.
“E ashtuquajtura punë e detyruar në Xinjiang është gënjeshtër e krijuar nga grupe të qëllimshme,” tha Yan.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar disa kompani tekstili që marrin materiale nga Xinjiang se kanë injoruar abuzimet e popullsisë ujgure në rajon.
Kina mohon të gjitha akuzat për abuzim dhe ka mohuar vazhdimisht pretendimet se drejton një rrjet të kampeve të punës së detyruar në Xinjiang.
Mes një bojkoti diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vendet e tjera perëndimore lidhur me të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë, IOC është përpjekur të mbajë politikën jashtë Lojërave të Pekinit.