Në festën e 8 marsit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta organizoi një eveniment në nën moton “Gratë që të frymëzojnë”.
Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishme gra dhe vajza, të cilat kanë spikatur dhe lënë gjurmët e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, Presidenti Meta vlerësoi dy zonja të shquara për kontributin e dhënë për fuqizimin e grave dhe vajzave në shoqëri, znj.Edita Tahiri dhe znj.Edlira Çepani.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skëndërbeut” znj.Edita Tahiri: “Në vlerësim të kontributit të vyer në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e faktorit shqiptar në botë, si një figurë e spikatur shqiptare, udhëheqëse, politikane, diplomate dhe negociatore e njohur në proceset paqeruajtëse në Kosovë e në rajonin e Ballkanit. Me mirënjohje ndaj kontributeve të vazhdueshme për fuqizimin dhe mbështetjen e grave dhe vajzave shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e në trojet e banuara nga kombi ynë.”
Ndërsa znj.Edlira Çepani u vlerësua me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: “Me mirënjohje ndaj kontributit dhe përkushtimit si aktiviste e shoqërisë civile për fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në Shqipëri, për forcimin e barazisë gjinore si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vlerësim të punës së vazhdueshme në mbështetje të shtresave në nevojë në të gjithë Shqipërinë, duke shërbyer si një zë i fortë në trajtimin e çështjeve sociale në mediat shqiptare.”
/5pyetjet.al