Moska mblodhi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për ta informuar për faktet që pretendon se ka zbuluar që inkriminojnë Shtetet e Bashkuara në ndërtimin e laboratorëve për armë biologjike në Ukrainë, të ndaluar rreptësisht nga konventat ndërkombëtare.
Vassily Nebenzia – Ambasador i Rusisë në OKB: Kemi zbuluar fakte shokuese të një pastrimi urgjent që regjimi i Kievit u ka bërë gjurmëve të një programi ushtarak të nisur nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Kemi dokumentuar ekzistencën e një rrjeti prej 30 laboratorësh biologjikë, ku janë kryer eksperimente për forcimin përmes biologjisë sintetike të cilësive patogjene të murtajës, antraksit, kolerës e sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë hodhën poshtë këto akuza. Një ndër zërat kritikë ndaj këtyre pretendimeve që tërhoqi vëmendje gjatë mbledhjes, përfshirë edhe vetën diplomatin rus, ishte ambasadori i Shqipërisë Ferit Hoxha, i cili akuzoi Moskën për përhapjen e lajmeve të rreme.
Ferit Hoxha – Ambasador i Shqipërisë në OKB: Këshillit nuk duhet t’i rrëfehen trillime apo histori shtangëse. Duhen prova të verifikuara në mënyrë të pavarur dhe të konfirmuara. Ky nuk është rasti. Ne duhet të jemi të shqetësuar për këtë dizinformim, për shtimin e akuzave për armë të shkatërrimit në masë, një mënyrë që Rusia e përdor për të përgatitur terrenin për përdorimin e armëve kimike e biologjie gjatë sulmit që po kryen në Ukrainë, por për të akuzuar të tjerët se po e bëjnë këtë.
Akuzat i hodhi poshtë edhe ambasadori i Ukrainës në OKB. Në të njëjtën linjë ishin edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe e madje edhe vetë përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara për çështjet e çarmatimit. /TV KLAN









