Jahti “My Solaris” i miliarderit rus, Roman Abramovich ka lundruar në portin e Tivatit në Mal të Zi të shtunën, më 12 mars.
Anija, e gjatë 140 metra, arriti në Mal të Zi disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione dhe vendosi të ngrijë asetet e oligarkëve rusë, përfshirë edhe pronat e Abramovichit.
Sanksionet ndaj pronave të miliarderëve rusë, që gjenden në mbarë botën, u vendosën për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Jahti i Abramovichit është ankoruar jo fort larg marinës së Malit të Zi, pranë Kepit të Seljanovës në Tivat.
Sipas ueb-faqes “Marine traffic”, jahti paraprakisht ishte i ankoruar në Barcelonë. Pas Spanjës, ky jaht lundroi drejt jugut të Italisë dhe më pas arriti në Gjirin e Kotorit.
Përderisa Perëndimi po vazhdon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Podgorica zyrtare, që i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, ende nuk ka marrë ndonjë vendim që t’i zbatojë ato.
Më 1 mars, Qeveria e Malit të Zi njoftoi se vendi i ishte bashkuar të gjitha masave kufizuese, përfshirë tetë pakove të sanksioneve të individëve dhe sanksioneve ekonomike që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë.
Sipas ligjeve në Mal të Zi, Qeveria duhet të konfirmojë para se të miratojë sanksionet, dhe duhet që t’ua dërgojë institucioneve shtetërore listën e masave që duhet të zbatohen./REL