Ish-shefi i Qendrës së Inteligjencës Amerikane (CIA), David Petraeus, theksoi se Ukraina mund ta mposhtë Rusinë “nëse armatoset siç duhet”.
Këtë deklaratë ish-zyrtari i lartë amerikan e dha për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ka hyrë “në një fazë shumë të paparashikueshme”.
“Vërej se Ukraina ka më shumë gjasa të zhvillojë një avantazh, duke pasur parasysh vendosmërinë, shkathtësinë, kreativitetin e treguar”, u shpreh fillimisht Petraeus.
Por, referuar kësaj, ushtaraku amerikan nënvizoi se do të ishte e pakujdesshme që të përjashtohej mundësia se “Rusia mund të mësojë nga gabimet e panumërta”.
Ish-shefi i CIA-s sqaroi se, nëse trupat ukrainase marrin furnizime të mjaftueshme dhe me rëndësi nga vendet e NATO-s, mund të jenë në gjendje të kryejnë kundërsulme të shumta.
Ai veçoi sistemet shtesë të mbrojtjes ajrore (sidomos S-300 dhe Buk) apo dronë shtesë të tipit Switchblade amerikan.
“Këto furnizime mund të kthejnë peshoren në favor të Ukrainës dhe të përfitojnë nga ajo në tryezën e negociatave”, shtoi në deklaratën e tij për Corriere, Petraeus.
Referuar luftimeve dhe vatrave, ish-zyrtari amerikan tregoi se, nëse Mariupol-i do të bjerë, “Rusia do të ketë një port të shkëlqyer për të furnizuar trupat në juglindje”.
“Me pak fjalë, asgjë nuk mund të përjashtohet për momentin, pavarësisht testit të jashtëzakonshëm të ukrainasve dhe mangësive të rusëve”, tha në vijim ish-shefi i CIA-s.









