Ish kryekomisari Artan Cuku është dekoruar pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi”.
Gjatë fjalës së tij ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se nuk duhet të ketë më oficerë të vrarë.
“Nuk duhet të kemi më oficerë të policisë të vrarë. Policët janë aty për të garantuar rendin dhe sigurinë. Dëshmorët e Atdheut janë pjesa më e ndërgjegjshme e vendit”, tha Manja.
Në ngjarjen e zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Bashkinë Kamzë, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Gledis Nano, i cili ka treguar se dhe vendi ku po mbahej ceremonia do ti vihej emri i Artan Cukut.
“Nuk ka sesi të mos ndihem i emocionuar dhe njëherazi krenar, që gjendem sot në mes të gjithëve ju në këtë ceremoni, e cila synon të rivlerësojë jetën dhe veprën e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë për një kauzë madhore dhe në të njëjtën kohë, të zgjojë kujtesën mbarë qytetare për Dëshmorët e Policisë.
Nisma për të risjellë në vëmendjen qytetare emrin dhe veprën e Dëshmorëve të Policisë hodhi rrënjë e po lulëzon në shumë bashki anembanë vendit. Mbi të gjitha po troket në ndërgjegjen e memorien e çdo qytetari, për më shumë vlerësim për figurën e punonjësit të Policisë, jo vetëm kur ata bien dëshmorë, jo vetëm kur ata mbrojnë jetën me jetë, por edhe kur janë gjallë e janë në detyrë, oficerë aktivë, joaktivë apo në pension.
Çdokush është i vetëdijshëm se punonjësi i Policisë sakrifikon shumë nga vetja dhe familja e tij për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, madje në jo pak raste rrezikon deri edhe vetveten për të mbrojtur qytetarët, rendin dhe ligjin.
Ndaj, kurrsesi s’duhet t’i harrojmë këto sakrifica të mijëra burrave e grave, djemve e vajzave të përkushtuar të Policisë së Shtetit.
Nga sot, për Pallatin e Kulturës të Bashkisë së Kamzës shënohet një ditë tejet e veçantë sepse po pagëzohet me emrin e nderuar të dëshmorit Artan Cuku,” ka thënë ai.
Artan Cuku, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, u vra në moshën 42-vjeçare, më 8 prill në hyrje të pallatit të tij në rrugën e “Kosovarëve”, në Tiranë.