Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë të martën, 12 prill, se në raportin e pranuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, më 1 prill të këtij viti për rastin e Astrit Deharit, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveçse të vetë atij.
Disa prej objekteve të analizuara kanë qenë brisku i rrojës, stilolapsi i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali.
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, i ka kërkuar Prokurorisë Speciale që të mos “manipulojë” me këtë rast, por siç ka thënë, të thotë të vërtetën.
“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregojë se a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a ka marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve, të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerr të gjallë – me shenja jete nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, shkroi ai në Facebook./ REL