Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka miratuar çmimet e reja të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë, të cilat do të jenë në fuqi deri në fund të vitit.
Nga vendimi nuk preken abonentët familjarë të cilët pavarësisht rritjes së kostos së transmetimit nga 0.75 lekë që ishte në 0.85 lekë nuk do të kenë asnjë ndryshim çmimi në faturën e dritave.
“Me miratimin e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes, ERE paralelisht vlerësoi edhe efektet e këtyre tarifave ndaj çmimit final të furnizimit të klientëve familjarë dhe jo familjarë në nivelin e tensionit të ulët 0.4 kV. Për periudhën e mbetur të vitit 2022, ERE-ja vendosi lënien në fuqi të çmimit të klientëve familjarë dhe jo familjarë të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV”, thuhet në vendim.
Ndërkohë s’mund të thuhet e njëjta gjë për biznesin e madh. Janë gati 7400 biznese të cilat prej fillimit të këtij viti kanë dalë në tregun e liberalizuar të energjisë. Me vendimin e djeshëm barra për këto kompani rritet sërish, duke qenë se çmimet e ndryshuara reflektohen në çmimin final të blerjes së energjisë.
“Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV – 1.55 Lek/kWh. Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.6 – 20 kV – 3.99 Lek/kWh. Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV – 6.42 Lekë/ kWh. Ndërkohë, tarifa mesatare e shërbimit të shpërndarjes për periudhën 1 maj – 31 dhjetor 2022, me miratimin e tarifave të mësipërme, rezulton në vlerën prej 5.89 lekë/kWh kundrejt tarifës mesatare prej 6.69 Lek/kWh, të kërkuar nga OSSH sh.a.”, thuhet më tej në njoftim. / Panorama