Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, deklaroi se ekziston një dokument si bazë për marrëveshjen me Bullgarinë, i pranueshëm nga pala maqedonase, por ende nuk ka përgjigje nëse është e pranueshme për Sofjen, duke treguar se kur ka marrëveshje për ndonjë dokument si bazë për një marrëveshje me Bullgarinë, përpara nënshkrimit të tij do të informohet opinioni dhe deputetët. Ndarja e Tiranës nga Shkupi në rrugën drejt BE-së, megjithatë, sipas tij, do të përkeqësojë dinamikën rajonale në plan afatgjatë.
Osmani, theksoi se ende nuk mund të thotë se kemi marrëveshje mes të dyja palëve sa i përket një dokumenti që duhet të jetë zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha dallimet të cilat i kemi me Republikën e Bullgarisë.
“Po, ka një dokument të tillë të cilin ne jemi të gatshëm që ta pranojmë, megjithatë derisa nuk marrim përgjigje se është i pranueshëm edhe për Republikën e Bullgarisë konsideroj se nuk janë pjekur ato parakushte që të mundem unë t’i informoj deputetët dhe publikun, sepse ai mund të refuzohet dhe atëherë e gjithë kjo do të ishte e panevojshme”, theksoi Osmani pas takimit me Ministrin rumun të Punëve të Jashtme, Bogdan Aureski, i cili dje ishte në vizitë pune në vend.
I pyetur nëse pengesë për zgjidhje janë partnerët e koalicionit të kryeministrit bullgar Petkov, Osmani tha se do t’i komentojë dinamikat e brendshme në Republikën e Bullgarisë.
“E di që ata planifikojnë që zgjidhjen ta kalojnë edhe në Kuvend. Që të kalojë në Kuvend kuptohet se ata partnerë të koalicionit duhet ta mbështesin atë zgjidhje. Nëse kjo nënkupton diçka, por nuk mendoj se është në rregull t’i komentoj marrëdhëniet në Bullgari. Shpresoj se në këtë kohë është i nevojshëm lidership strategjik. Është koha për vendime strategjike në BE, në rajon”, deklaroi Osmani.
Për atë nëse ka lëvizje në pjesën politike dhe dallime politike, tha se me ministren ka komunikuar në bazë ditore, përderisa kryeministri Kovaçevski me kryeministrin bullgar.
“Do ta përsëris vlerësimin, është arritur progres në mendimet se si të tejkalohet kjo çështje. Sa i përket, si, sa dhe kur, por nuk mund të them se për një dokument ka pajtueshmëri të plotë nga qeveria bullgare që të mundem unë t’i informoj deputetët menjëherë, ta ndaj dokumentin dhe ta informoj publikun. Nuk mundemi as të bisedojmë ndaras me secilin aktor politik në Bullgari e as që t’i komentojmë qëndrimet e ndryshme”, tha Osmani.
Deklaratat e Osmanit vijnë në prag të vizitës së kryeministrit bullgar Petkov dhe nënkryetares së Bullgarisë, Iliana Jotova, të cilat sipas njoftimeve të shtunën në Manastir do të marrin pjesë në hapjen e Klubit Kulturor të Shoqatës “Ivan Mihajlov”.