Barcelona nuk po kalon një formë aspak të mirë. Kur u duk se katalanasit e morën veten pas fitores në mesjavë me Real Sociedad, skuadra e Xavi u thye sërish, pasi edhe këtë herë u mposht 1-0 nga Rayo Vallecano, në “Camp Nou”.
Heroi i sfidës ishte Garcia, i cili, pas një topi të bukur, goditi fort drejt portës, me gardianin Ter Stegen që e kishte të pamundur ta priste.
Një disfatë që dhemb shumë për vendasit, pasi rrezikojnë tashmë edhe vendin e dytë, ndërsa për miqtë ky triumf mund të konsiderohet si një festë, pasi kanë siguruar qëndrimin në La Liga.
Aktualisht, Barcelona pozicionohet në vendin e dytë, me 63 pikë, po aq sa dhe Sevilla e vendit të tretë dhe 2 pikë larg Atletico Madrid të vendit të katërt.
Edhe pse e nisi shumë mirë aventurën e tij si trajner i Barcelonës, Xavi ka shkruar historinë për keq të klubit katalanas: për herë të parë në histori, ekipi “blaugrana” ka humbur 3 ndeshje radhazi në “Camp Nou” në të njëjtin sezon. Në 3 ndeshjet e fundit në shtëpi, Barcelona ka humbur ndaj Eintracht (Europa League), Cadiz dhe Rayo.