-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kush është njeriu që bekon raketat e Putin, dhe jeton në luks?

Kryesoret

Ai është një nga të besuarit më të ngushtë të diktatorit të Kremlinit, Vladimir Putin: Patriarku Kirili I.

Në vitin 2006, pasuria personale e kreut të Kishës Ortodokse u vlerësua deri në 4 miliardë euro. Studiuesit e lidhin atë me KGB-në. Sipas blogerëve ortodoksë, atij i pëlqen të bëjë ski në mal dhe makinat e shpejta. Të mërkurën e kaluar, Brukseli propozoi sanksionet kundër tij.

Kirili, që në vitin 2009 pasoi Patriarkun e ndjerë, Alexios, i cili rindërtoi Kishën pas rënies të Bashkimit Sovjetik dhe sistemit ateist, e ka kthyer Ortodoksinë Ruse në një makinë të vërtetë politiko-fetare në shërbim të Kremlinit.

“Ne nuk duam të luftojmë askënd, Rusia nuk ka sulmuar kurrë askënd. Është një mrekulli që një vend i fuqishëm dhe i madh nuk sulmon askënd, por vetëm mbron kufijtë e tij,” tha Patriarku për pushtimin e Ukrainës nga Putini.

Tri ditë pas aksioneve të para ushtarake, ai i quajti kundërshtarët e vendit të tij ‘force të së keqes’ dhe madje bekoi ushtrinë ruse.

Kush është patriarku ortodoks që bekon raketat e Putinit?

Patriarku Kiril lindi në vitin 1946 me emrin Vladimir Gundyaev dhe u fronëzua në vitin 2009.

Shumica e perëndimorëve dinë pak për Kirilin. Sipas pasaportës së tij, Vladimir Gundayev lindi në Leningrad në vitin 1946 në familjen e një prifti ortodoks. Ai u diplomua me nderime në Akademinë Shpirtërore të Leningradit në vitin 1969.

Në vitin 1970 mori titullin e mjeshtrit dhe u emërua sekretar personal i Mitropolit Nikodimit, shef i marrëdhënieve me jashtë të Kishës.

Që prej atëherë, Kirili ka qenë fytyra e Kishës Ortodokse në të gjithë udhëtimet e huaja në Europën Perëndimore. Në vitin 1989, ai u emërua drejtues i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kishës së Patriarkanës së Moskës. Për shumë vite ai drejtoi kështu politikën e jashtme të Kishës Ortodokse Ruse. Në vitin 1991, u emërua Peshkop Mitropolit i Smolenskut dhe Kalingradit.

Më 27 janar 2009 ai u fronëzua si Patriarku i 16-të i Moskës dhe të gjithë Rusisë.

Pseudonimi ‘Mikhailov’

Karriera spektakolare e Kirilit si përfaqësues i kishës në Këshillin Botëror të Kishave në Gjenevë, dhe më vonë si kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të kishës, bëri që disa studiues ta lidhnin atë me inteligjencën sovjetike.

Ai njihej me pseudonimin ‘Mikhailov’ kur punonte për shërbimin sekret sovjetik, KGB. Që nga viti 1972, Kirili/Gundayev/Mikhailov thuhet se është marrë gjithnjë e më shumë me vendet e Lindjes së Mesme.

Historiani dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Felix Corley arriti të provojë këtë lidhje në vitin 2018. Provat e tij përmblidhen në një artikull të titulluar: Dosjet e Mikhailiv, Patriarku Kiril dhe KGB-ja.

Burimet e tij: Dokumentet nga arkivat e KGB-së në Moskë, të cilat ai shkruan se u shikuan nga një numër studiuesish pasi arkivat u hapën për një kohë të shkurtër pas grushtit të dështuar të shtetit në gusht 1991, por aksesi u mbyll përsëri pasi udhëheqja ortodokse ruse kishte protestuar kundër.

Mitropoliti i Duhanit

Në mesin e viteve ’90, falë mbështetjes së presidentit Boris Yeltsin dhe kryeministrit Viktor Chernomyrdin, Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kishës, i kryesuar nga Kirili, iu dha privilegji i importit pa taksa të alkoolit dhe cigareve.

Kisha Ortodokse Ruse u bë kështu importuesi kryesor i cigareve në Rusi. Nuk dihet deri më sot se çfarë fitimesh janë bërë me të dhe për çfarë janë shpenzuar këto para.

Numri i shtatorit 1996 i Moska News raportonte se nën flamurin e bamirësisë të Kishës Ortodokse, të përjashtuar nga taksat, Kirili organizoi importimin e produkteve me taksa të rënda, kryesisht të duhanit.

Mitropoliti i atëhershëm i Smolenskut dhe Kaliningradit konfirmoi importimin e produkteve shumë ‘jo të krishtera’. Në vitin 1997, Kirili pranoi se kishte importuar alkool dhe duhan, por pretendoi se Kisha Ortodokse nuk mund të refuzonte ‘ndihmat humanitare’.

Sipas gazetës më të madhe të pavarur ruse, Novaya Gazeta, Kisha Ortodokse Ruse dhe fondacioni privat i Kirilit ‘Nika’ ishin organizata jofitimprurëse që importuan tetë miliardë cigare vetëm në vitin 1996.

Biznesi i ‘kishës’ së Kirilit u zhvillua në mënyrë të jashtëzakonshme pasi konkurrentët e ligjshëm nuk mund të sfidonin me çmimet e tij të ulëta për duhanin dhe alkoolin. Importuesit natyrisht u dëbuan nga tregu pasi nuk mund të konkurronin me çmimet e Kirilit sepse paguanin detyrimet e nevojshme qeveritare.

Novaya Gazeta e quante Kirilin ‘Mitropolitin e Duhanit’.

Ora e dorës ‘Phantom’

Një tipar i jetës së tij është një orë dore zvicerane Breguet me vlerë rreth 30 mijë euro, e njohur edhe si ‘Ora Phantom’. Në vitin 2012, kreu i Kishës Ruse u fotografua me këtë orë në një aktivitet.

Në kohën kur fotografia u publikua në faqen e internetit të kishës, Breguet nuk shihej më, por reflektimi i orës së artë mund të shihej përmes pasqyrimit të tavolinës së lëmuar mirë- në të cilën ishte ulur Kirili.

Kirili mohoi të kishte mbajtur ndonjëherë orën, por përfundimisht pranoi se kisha e kishte retushuar orën nga fotoja dhe kërkoi falje. Ai u detyrua të pranonte se ishte ora e tij. Kirili pretendoi se ora ishte një dhuratë nga një mik i pasur, ajo u shit dhe paratë u dhuruan për bamirësi.

Tani Brukseli po propozon të sanksionojë patriarkun Kiril për mbështetjen e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës. A do ta prekë edhe atë paketa e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë apo fuqia globale e kishës do ta ndihmojë atë që të shmangë diçka të tillë?

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit