Shoqata Kombëtare e Armëve po vazhdon me organizimin e konventës së saj vjetore që fillon të premten në Hjuston të Teksasit, vetëm pak ditë pasi një adoleshent i armatosur hyri në Shkollën Fillore “Robb” në Uvalde të Teksasit dhe vrau 19 fëmijë dhe dy mësues.
Guvernatori i Teksasit Gregg Abbott, i cili ishte planifikuar të mbante një fjalim në konventë të premten, është tërhequr nga pjesëmarrja dhe ka njoftuar se do të shkojë në qytetin Uvalde. Ai megjithatë do të japë një mesazh videofonik të regjistruar paraprakisht, njoftoi gazeta “The Dallas Morning News”.
Ish-Presidenti Donald Trump vazhdon të figurojë një ndër folësit kryesorë në konventën e grupit për të drejtën e mbajtjes së armëve, që do të zgjasë tre ditë.
Ndërkaq, autoritetet ligjzbatuese të Teksasit po përballen me pikëpyetje të forta për reagimin e tyre dhe kohën që iu desh të martën për të hyrë në shkollë dhe për t’u përballur me sulmuesin 18-vjeçar Salvador Ramos. Zyrtarët thonë se ai u gjend brenda shkollës fillore “Robb” për rreth 40 minuta deri në 1 orë, përpara se policët të hynin në klasën e katërt ku ai kishte vrarë 21 persona.
Dëshmitarët thanë se prindërit e fëmijëve të bllokuar brenda në shkollë, e cila gjendet në një lagje banimi, si dhe kalimtarët që u mblodhën në mesditën e së martës, i thërrisnin policëve, që të hynin në shkollë dhe t’i jepnin fund masakrës.
Një dëshmitar jashtë shkollës, 24-vjeçari Juan Caranza, që pa skenën nga shtëpia e tij përballë rrugës, tha se gratë u bërtisnin policëve “Futuni atje! Futuni brenda!”.
Policia dha detaje të mëtejshme për rrjedhën e ngjarjeve. Victor Escalon, një drejtues rajonal në Departamentin e Teksasit për Sigurinë Publike, tha se sulmuesi Ramos hyri në godinë nga një derë e pakyçur dhe pa hasur në ndonjë oficer të sigurisë së shkollës, duke rënë kështu në kundërshti me njoftimet e mëparshme.
Shkolla ka normalisht një oficer të armatosur në shërbim, por kur sulmuesi kishte mbërritur të martën, “nuk pati asnjë oficer të gatshëm të armatosur” dhe sulmuesi hyri në godinë “i papenguar”, tha zoti Escalon.
Sulmuesi u vra pasi një ekip special i Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara hyri në klasë dhe qëlloi ndaj tij, tha zoti Escalon.
Javier Cazares, vajza katërvjeçare e të cilit, Jacklyn Cazares, u vra gjatë sulmit, tha se ai dhe disa persona të tjerë po mendonin të hynin vetë në godinë, pasi panë se policia nuk po vepronte me shpejtësinë e duhur.
“Të hynim vetë pasi policët nuk po bënin asnjë veprim siç duhej”, tha ai. “Më shumë mund të ishte bërë. Ata ishin të papërgatitur”.
Një kalimtar regjistroi një video të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Facebook, ku ai rrëfen se si prindërit po mundoheshin në mënyrë të dëshpëruar që ta detyronin policinë të lëvizte më me shpejtësi për të shpëtuar fëmijët e tyre.
“Policët janë aty. Ka të shtëna në shkollë dhe këta policë po u thonë të gjithëve të largohen, ndërsa të gjithë njerëzit këtu po përpiqen të marrin fëmijët e tyre”, thotë ai, sipas një teksti të publikuar nga gazeta The Washington Post.
Më vonë, personi thotë në video se fëmijët “janë të gjithë atje brenda, dhe policët nuk po veprojnë, por po qëndrojnë përjashta”.
Një grua, e cila tha se djali i saj ishte në shkollë, i bëri thirrje policisë ta qëllonin sulmuesin, nëse mundeshin.
“Ata janë fëmijë”, bërtiti ajo. “Unë po shkoj atje, po shkoj”.
Drejtori i Departamentit të Teksasit për Sigurinë Publike, Steve McCraw, mbrojti të mërkurën reagimin e policisë, duke thënë se “thelbi është se forcat e zbatimit të ligjit ishin atje. U angazhuan menjëherë. E izoluan (sulmuesin Ramos) në klasë” përpara se ta vrisnin.
Zoti Escalon, gjithashtu nga Departamenti i Teksasit për Sigurinë Publike, tha se dy punonjës policie të qytetit Uvalde mbërritën katër minuta më pas në shkollë, por se sulmuesi Ramos i zmbrapsi duke qëlluar ndaj tyre.
Autoritetet vazhduan të kërkojnë motivin për këtë masakër të tmerrshme, më e rënda në shkollat amerikane në pothuajse një dekadë. Ata thonë se 18-vjeçari Ramos nuk kishte ndonjë historik të njohur penal, apo të shëndetit mendor, megjithëse disa të njohur përmendën sjelljen e tij jo-normale, si goditjen me saçme përmes një pushkë me ajër ndaj kalimtarëve të rastësishëm në qytetin Uvalde.
Një vajzë gjermane 15-vjeçare, me të cilën ai komunikonte në internet, tregon se ai i kishte thënë se ai “hidhte mace të ngordhura në shtëpitë e njerëzve”.
Ndërsa po përgatitej të fillonte sulmin, ai i shkruajti vajzës, duke e paralajmëruar në një mesazh privat se do të sulmonte me armë një shkollë fillore.
Guvernatori Abott tha të mërkurën se 17 persona të tjerë ishin plagosur gjatë sulmit, por se asnjëri nuk ishte në rrezik për jetën. Një zëdhënës i Departamentit për Sigurinë Publike të Teksasit tha se ndër të plagosurit janë “disa fëmijë” që i mbijetuan plumbave në klasë.
Bashkëshorti i njërës prej mësueseve që u vra gjatë sulmit, pësoi një goditje në zemër dhe vdiq të enjten. Joe Garcia ishte i martuar me Irma Garcian, me të cilën ishte dashuruar që në shkollën e mesme dhe në vazhdim kishin qenë të martuar prej 24 vitesh dhe kishin bërë katër fëmijë. Zoti Garcia pësoi infrakt gjatë përgatitjeve për funeralin e të shoqes.
Studentët në shkollat dhe kolegjet në mbarë Amerikën organizuan protesta në kampuset e tyre të enjten, duke kërkuar masa më të forta kontrolli ndaj armëve.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden do të shkojnë të dielën në Teksas për të mbajtur zi së bashku me anëtarët e atij komuniteti./VOA