Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 24 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi M. M., 24 vjeç, banues në Pogradec.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Trestenik, Devoll, mjetin tip “Audi A6”, me të cilin kishte dyshime se po transportoheshin emigrantë të paligjshëm dhe i kanë bërë me shenjë drejtuesit të tij, shtetasit M. M., të ndalonte. Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin në rrugë, brenda të cilit u konstatuan 7 emigrantë të paligjshëm.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se bashkëpunëtor me shtetasin M. M., në këtë aktivitet kriminal ishte edhe shtetasi A. S., i cili u arrestua në flagrancë. Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit M. M. dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.