Në Tiranë, maturantët e liceut artistik çelën një ekspozitë me punimet e tyre të diplomimit, ku mbizotëron përpjekja e njeriut për dinjitet dhe të drejta njerëzore.
Në liceun “Jordan Misja” është bërë traditë çelja e një ekspozite vjetore me diplomat e maturantëve. Suksesi i kësaj mature erdhi pas vështirësish të mëdha me pandeminë Covid dhe mungesa të tjera.
“Ata kanë emocionin e punës së tyre si dhe për vlerësimin e veprave. Padyshim që vlerësimi për ta është maksimal, sepse, siç e shihni edhe vet, punimet janë shumë të arrira” – drejtori i shkollës Shkëlqim Sirika.
Denisa Koçi u paraqit me dy punime, një grua e dhunuar dhe portret i Musine Kokalarit reliev në mermer.
“Lexova shumë dhe mësova historinë e persekutimit të Musine Kokalarit nga regjimi komunist. Jam e nderuar, që e realizova si duhet në reliev mermeri portretin e kësaj intelektualeje të shquar” – thotë Denisa.
Skulptura është një nga atelietë më energjike, ku nxënësit u japin shprehje njerëzore materialeve të ngurta pas një përpunimi të gjatë në heshtje.
“Në detyrat e diplomimit nxënësit kanë një përkushtim të veçantë, ndjesitë dhe emocionet e veta. Ndodh kështu sepse nxënësi diplomohet dhe për herë të parë këtu ai merr ndjenjën e të qenit skulptor dhe del në jetë si një skulptor i ri” – thotë mësuesi i skulpturës Emanuel Koko.
Bashkë me ekspozitën e sotme, nxënësit kanë krijuar edhe planet për të ardhmen e tyre artistike dhe dëshirat për suksese në krijimtari.
“Për veten time shoh përpara një të ardhme me shumë ekspozita, dëshiroj të shpreh dashurinë për njerëzimin përmes pikturës dhe ta nderoj vendin tim në pjesëmarrje artistike jashtë shtetit” – thotë maturanti Fatjon Abazi.
Mësueset e liceut janë po aq të emocionuar sa edhe dhe nxënësit, sepse së bashku kurorëzojnë 3 vet punë të përditshme.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe për një mësues kur, pas një pune e lodhje të madhe me nxënësit, në fund merr gëzimin e fryteve të kësaj krijimtarie dhe veprat e tyre” – thotë Blegina Hasko Bezo, mësuese e grafikës.
Piktura dhe skulptura klasike po gërshetohet në lice prej disa vitesh me teknikat e reja të art-disajnit, ku e gjejnë veten shumë artistë të rinj. Orianda Prifti ka marrë një çmim të parë edhe në konkursin “Tirana kryeqyteti i rinisë”, që u zhvillua në kryeqytet, por diplomimi sot është një ngjarje me rëndësi të posaçme.
“Punimet e mia janë në teknikat linogravurë dhe grafik disajn. Jam munduar shumë të shpreh emocionet e mia sipas momenteve dhe sipas ngjyrave. Doja t’i ndërthurja këto të dyja” – thotë maturantja Orianda.
Fotografia artistike është po ashtu një atelie e re në liceun artisitik, ku nxënësit provojnë tema abstrakte dhe reportazhe nga jeta e përditshme.
“Punët e ateliesë së fotografisë në këtë ekspozitë besoj se janë thelbi i punës që ata kanë bërë në tre vite. Procesi është i gjatë dhe nxënësit kanë shumë punë dhe detyra të ndryshme, ndërsa për këtu janë zgjedhur më të mirat” – thotë mësuesja e fotografisë, Gentiana Meta.
Njëra nga maturantet, Keti Vojka, udhëtoi drejt Kosovës dhe diplomën e vet e realizoi tek varrezat e dëshmorëve pranë shtëpisë së Adem Jasharit.
“Atje pata emocione të forta dhe më bëri shumë përshtypje patriotizmi i fëmijëve në varrezat e dëshmorëve të Kosovës. Këtë ndjenjë doja ta sillja edhe në Shqipëri. Fëmija në foto e admironte ushtarin dhe dëshironte të qëndronte gjatë pranë tij” – thotë maturantja.
Liria e vajzave dhe grave shqiptare, bota e tyre e madhe shpirtërore, mbizotëron edhe në punimet e Alkidës.
“Kam përdorur edhe në pikturë instalacione e letër, ndaj këtë teknikë vendosa që ta përdor edhe në fotografi. Kam marrë në foto personazhe, që shprehin ndjenja me anë të shikimit të tyre të fortë” – thotë maturantja Alkida Sokoli.
Skenografia dhe tekstili janë atelie plot sfida, ku tradita dhe folklori gërshetohen me elemente bashkëkohore në veshje dhe personazhe.
“Detyra ishte të shfrytëzonim elemente të florës dhe faunës. Unë mora koralet dhe me ngjyrat e tyre në tekstura krijuam veshje” – thotë maturantja Mia Sulku.
Ndërsa Salome thotë se tekstili ka shumë lidhje edhe me skenografinë, kur bëhet fjalë për kostumet e personazheve.
“Unë kam pasur si personazh Lizën në botën e çudirave dhe një film vizatimor, që quhet AP. Ndryshe nga vitet e tjera ne i kemi bërë kostumet me anë të copave, i kemi sjellë në këtë format dhe jam shumë e lumtur që ia arrita diplomimit me to” – thotë maturantja Salome Losha.
Për pedagogun e njohur Hermon Madhi kjo është matura 23, që ai përcjell nga liceu artistik. Ai thotë se këta nxënë janë përgatitur dhe kanë premisat më të mira që të ecin në botën e lirë të artit me personalitetin e tyre.
“Ngjarja më e madhe për një nxënës të liceut është mbyllja në 3 vjet e një procesi krijues dhe me një produkt. Një njeri i ditur, Ernst Gombrixh, ka thënë se nuk ka art, por ka vetëm artistë. E veçanta është se këta nxënës kanë kaluar 3 vjet jonormale, sepse 2 vjet ishim në pandemi. Arti pamor nuk bëhet as online as me telefon. Por ata e tejkaluan me punë dhe e përballuan me shumë sukses” – thotë Madhi, zëvendës drejtor i shkollës.
Të rinjtë besojnë se falë krijimtarisë dhe punës këmbëngulëse do të zënë vend një ditë në qarqet artistike me dinjitet dhe suksese profesionale.