Ulja e kostove, politika shtrënguese e klubit katalanas nuk lejon koncesione apo “teprica” të asnjë lloji. Fjalëkalimi është një dhe i vetëm: Kurse para. Ose e konvertuar ndryshe bëj (përdor) gjithçka për të fituar para dhe mbushur arkën bosh të gjigantëve katalanas. Duke filluar nga përdorimi i objekteve të “Camp Nou” dhe kampeve trajnuese.
Së pari kursimi, pastaj gjenerimi i të ardhurave. Kështu, është sugjeruar të mbahen nën kontroll edhe kostot e energjisë elektrike në insfrastrukturën e klubit. Së dyti, monetizimi.
Në strategjinë e Barcelonës për burime të vlefshme financiare nuk ekziston vetëm promovimi i talenteve më të mirë të “La Masia”, çka i besohet Xavit, apo një program ekonomiko-sportiv në ulje krahasuar me shifrat monstruoze të viteve të mëparshme.
Blaugrana-ve iu duhet të kapitalizojnë historinë dhe traditën e tyre, duke iu hapur dyert nismave të reja. Midis këtyre është mundësia që iu ofrohet tifozëve për të luajtur një ndeshje në drejtkëndëshin e gjelbër të “Camp Nou”. Kushdo, pavarësisht statusit, ngjyrës, fesë, rracës, kombësisë etj. Mund ta bëjë këtë gjë me koston 300 euro për person.
Pra, cilido i interesuar, qoftë ky edhe shqiptar, mund të organizojë një ndeshje një orëshe në gjigantin katalanas, duke shijuar lëndinën ku ka bërë historinë Lionel Messi dhe shumë e shumë yje të tjera. Kjo mund të bëhet në një periudhë të caktuar kohore të identifikuar nga vetë klubi katalanas.
Më 6 dhe 11 qershor do të ketë një lloj dite të hapur për futbollistët amatorë, por dhe të tjerë që të shijojnë një eksperiencë të plotë në “Camp Nou”, duke përdorur dhomat e zhveshjes së impiantit historik, duke përfituar edhe nga një sërë shërbimesh anësore përfshirë në çmim. Më shumë se një klub, më shumë se një ekip. Mezi presim kohë më të mira nga Barcelona.