Pas më shumë se katër dekada, vajza e mitur e një çifti, trupat e të cilëve u gjetën të pajetë në Teksas në vitin 1981, është gjetur shëndoshë e mirë, njofton zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton, shkruan “CNN”.
Identitetet e dy trupave, të zbuluar në një zonë pyjore në Hjuston në vitin 1981, ishin të panjohura deri vitin e kaluar, kur hulumtimi gjenetik përcaktoi se bëhej fjalë për Tina Gail Linn Clouse dhe Harold Dean Clouse Jr., thanë prokurorët e Teksasit.
Sakaq, vajza e vogël e çiftit, megjithatë, nuk u gjet pranë eshtrave të prindërve të saj, thanë zyrtarët.
“Familjet Linn dhe Clouse kanë kërkuar përgjigje në lidhje me mirëqenien e Clouse-ve dhe vajzës së tyre, Holly-t, që kur u dëgjuan për herë të fundit në vitin 1980”, tha në deklaratë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit.
“Holly është gjetur shëndoshë e mirë dhe tani është 42 vjeç. Holly është njoftuar për identitetin e prindërve të saj biologjikë dhe ka qenë në kontakt me familjen e saj të gjerë biologjike. Ata shpresojnë të takohen personalisht së shpejti”.