Shqipëria dhe më shumë se 50 anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë janë solidarizuar me Ukrainën, duke premtuar mbështetje dhe ndihmë në eksportet bujqësore dhe përpjekjet për të rindërtuar vendin në një periudhë të pasluftës.
“Ne, ministrat e tregtisë/kryetarët e delegacionit të anëtarëve të nënshkruar të OBT-së, jemi takuar sot në Gjenevë me rastin e Konferencës së 12-të Ministrore të OBT-së, për të përsëritur mbështetjen tonë të plotë dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës”, shkruhej në deklaratën e përbashkët.
Vihet re se lufta ka shkaktuar gjithashtu një “ndikim shkatërrues”, duke përfshirë ekonominë e Ukrainës dhe aftësinë për të tregtuar.
“Shkatërrimi i një pjese të konsiderueshme të infrastrukturës së transportit të Ukrainës, duke përfshirë rrugët, urat, portet dhe hekurudhat, po pengon ndjeshëm aftësinë e Ukrainës për të prodhuar, eksportuar dhe importuar”, kanë pranuar anëtarët e OBT-së.
Ata theksuan gjithashtu nevojën për të siguruar që rrugët tregtare, veçanërisht rrugët detare dhe portet, të mos bllokohen nga kërcënimi i përdorimit të forcës.
Brenda kapacitetit anëtarët do të kërkojnë mënyra për të ndihmuar fermerët ukrainas “të vazhdojnë mbjelljen dhe rritjen e drithërave dhe farave vajore, shumë të nevojshme për veten dhe për botën”.
Konferenca e 12-të ministrore e OBT-së nisi punën e saj në Gjenevë të dielën, e cila do të zgjasë deri më 15 qershor.
Organizata përbëhet nga mbi 160 shtete anëtare. Ukraina u bë anëtare me të drejta të plota më 16 maj 2008









