Xhelozia është një aspekt shumë i gjerë dhe shumë shpesh prek edhe marrëdhëniet shoqërore. E pranon apo jo, ka pasur ndonjë moment kur ti ke përjetuar xhelozi ndaj miqve të tu, ose e anasjellta. Në fakt, është një ndjesi mëse e zakonshme dhe nuk duhet të ndjesh faj nëse je xheloz/ e ndaj miqve, apo nëse ata janë ndaj teje.
Pse ndodh si dukuri?
Arsyet janë të shumta dhe të ndryshme. Shpesh, dikush është xheloz sepse ka vetëbesim të ulët ose ndihet i/ e kërcënuar nga suksesi, marrëdhëniet, personaliteti, apo edhe bukuria fizike e miqve të tij/ saj. “Dikush që ka vetëvlerësim dhe vetëbesim të ulët ka një këndvështrim negativ për veten dhe priret të krahasohet me ata që e rrethojnë. Pas kësaj, ndihet inferior dhe beson se personat përreth janë me më shumë fat, më të talentuar dhe më të vlerësuar nga të tjerët”, thotë Kathy Nickerson, një psikologe e licensuar dhe eksperte e marrëdhënieve.
Sipas saj, një tjetër arsye mund të jetë frika nga braktisja. Nëse ti ke suksese dhe përjeton arritje të shumta dhe miqtë e tu jo, atëherë ata do të ndiejnë xhelozi dhe do të mendojnë se ti do i braktisësh, pasi nuk do të kesh më kohë fizike dhe as dëshirë të rrish me ta.
“Xhelozia është thjesht një emocion, si gjithë të tjerët. Nëse miqtë e tu ndihen të lënduar apo të acaruar pa shkak kundrejt teje, ndoshta ndodh prej xhelozisë. Ne krijojmë raporte me njerëzit sepse na bashkojnë vlerat, pasionet dhe këndvështrimet. Me të gjitha këto ngjashmëri, nuk është fare e pazakontë që dikush të ndiejë xhelozi. Kjo ndjesi është e padëmshme, për sa kohë nuk të lëndon ty apo ndjenjat e miqve të tu”, shprehet psikologia Pauline Yeghnazar.
Nëse e has si problem, si të përballesh me miqtë xhelozë?
Nëse e ke identifikuar problematikën, duhet të përballesh, edhe pse nuk është e lehtë. Së pari, ki parasysh se xhelozia është e ndryshme nga lakmia, e cila zakonisht lidhet me dëshirën për të pasur diçka që ka dikush tjetër. Xhelozia lidhet me skepticizmin dhe krahasimin e vetes me të tjerët. Dallimi mes tyre është i rëndësishëm, ndaj duhet ta qartësosh se çfarë përjetojnë miqtë e tu ndaj teje.
Bëji pyetje vetes
Vendosu në vendin e tyre. Mbaj gjithmonë një qëndrim pozitiv, pasi siç e thamë, xhelozia është një emocion njerëzor.
Në vend që të nxehesh, mundohu që ta kthesh në energji xhelozinë e miqve
Ekziston një stigmë mjaft negative rreth xhelozisë dhe ndonjëherë, njerëzit e harrojnë se mund të ketë edhe fryte pozitive. Xhelozia mund të shërbejë si motivim për miqtë e tu, pasi mund të duan të arrijnë drejt suksesit, ashtu si ti.
Mos fajëso veten
Nëse të tjerët janë xhelozë, nuk ke pse të fajësosh veten. Edhe nëse je ti miku/ ja xheloz/ e, sërish është mëse *okay*. Mos e rëndo veten dhe mendjen, pasi është krejt normale të përjetosh një emocion.
Bisedo rreth xhelozisë
Mund të ndihesh në siklet, por duhet ta kryesh si bisedë, nëse do “ta këpusësh të keqen nga rrënja”. Sa më shumë ta vonosh si diskutim, aq më toksike do të bëhet marrëdhënia miqësore, pasi miqtë e tu do të ndihen sikur diçka po shkon keq dhe do të nisin të mendojnë edhe më shumë rreth raportit. Duke folur rreth xhelozisë në një bisedë me qasje pozitive, të hapur dhe të sinqertë, do të mund të kuptosh edhe miqtë e tu dhe do të mund të parandalosh situata të rënda.
Nëse nuk e bën dot përballë këtë bisedë, zgjidh një medium: mesazh, telefonatë, apo ku të duash dhe nise bisedën. Të sugjerojmë të mos e përdorësh termin “xheloz/ e”, për shkak të efektit negativ që ka.
Tani që e fole, si ta përballosh xhelozinë e miqve?
Duke ofruar ndihmën tënde
Pyeti miqtë se si mund t’i ndihmosh që të punojnë me vetëvlerësimin. Bëj pyetje si: “Mos të lëndova me atë që thashë? Nëse po, më thuaj, të lutem”.
Dëgjoji me vëmendje
Po, është shumë e rëndësishme që t’i dëgjosh dhe të jesh gjithë sy e veshë mbi ato që do të të thonë miqtë e tu.
Vendos kufij
Është diçka shumë pozitive që të ofrosh mbështetjen tënde, ama, mos harro limitet e tua. Vendos disa kufij të shëndetshëm dhe ji shumë i/ e drejtpërdrejtë.