Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar dorëheqjen o ofruar nga kryeministri që ai emëroi, duke thënë në vend të kësaj se qeveria duhet “të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”.
Elisabeth Borne u kritikua nga disa komentues pasi koalicioni i Macron humbi shumicën e tij të dielën.
E ardhmja e saj dukej e kërcënuar pas rezultatit, gjë që e la presidentin të kishte nevojë të siguronte mbështetje nga rivalët.
Ndërkohë, ai pritet të takohet me kundërshtarët e tij politikë për bisedime gjatë të martës.
Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e majtë-jeshile e Jean-Luc Mélenchon nuk janë të prirur të punojnë me qeverinë qendrore të Macron, e cila është 44 vende larg shumicës dhe që përpiqet dëshpërimisht të shmangë paralizën politike.
Pallati Élysée tha se zonja Borne ofroi zyrtarisht të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes, duke i dorëzuar një letër zotit Macron – kreut të shtetit – i cili e hodhi poshtë atë.
Macron refuzoi ofertën “në mënyrë që qeveria të mund të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë”, tha pallati Élysée, duke shtuar se ai do të kërkonte “zgjidhje konstruktive” për t’i dhënë fund bllokimit që kërcënon axhendën e tij gjatë mandatit të tij të dytë.
Është thuajse e njohur tashmë që kryeministri francez të ofrojë dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare.
Shpesh, presidenti thjesht riemëron të njëjtin person në mënyrë që ai ose ajo të mund të fillojë ndërtimin e një qeverie të re.
Por situata është ndryshe këtë herë, pasi Macron po i thotë zonjës Borne të qëndrojë në detyrë me të njëjtin kabinet pa dhënë dorëheqjen.
Kjo është ndoshta një përpjekje për të blerë kohë, sugjerojnë analistët, duke shtuar se në një moment tjetër, do të formohet një qeveri e re, e cila mund të mos ketë zonjën Borne në krye të saj.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive do të vizitojnë Pallatin Elysee për bisedime të nivelit të lartë të martën dhe të mërkurën.
Analistët thonë se presidenti mund të shikojë një marrëveshje me republikanët e krahut të djathtë.
Partia konfirmoi se udhëheqësi i saj, Christian Jacob, do të merrte pjesë në bisedime.
Por perspektivat për një marrëveshje u shfaqën të zbehta në prag të bisedimeve, pasi zoti Jacob goditi Macron në një intervistë me radio France Inter. “Është ai që është treguar arrogant dhe tani thërret për ndihmë”, tha ai.
“Ne jemi shumë të qartë në qëndrimin tonë, ne jemi në opozitë me Emmanuel Macron dhe do të qëndrojmë atje”, shtoi ai.
Zonja Le Pen do të marrë pjesë, por z. Mélenchon jo, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Kreu i Partisë Socialiste Olivier Faure dhe shefi i Partisë Komuniste Fabien Roussel, anëtarë të aleancës së krahut të majtë Nupes, do të takohen gjithashtu me Macron.
Mungesa e shumicës së qartë në Asamblenë Kombëtare ka të ngjarë ta bëjë shumë më të vështirë për Macron zbatimin e agjendës së tij gjatë mandatit të tij të dytë pesëvjeçar.
Ai ka paraqitur një sërë planesh për të trajtuar koston spirale të jetesës, duke përfshirë kuponat e ushqimit dhe përfitimet e zgjeruara. Një tjetër reformë e madhe është rritja graduale e moshës së pensionit nga 62 në 65 vjeç, e cila ka rezultuar e papëlqyeshme për pjesën më të madhe të elektoratit.
Kundërshtarët nga e djathta dhe e majta synojnë t’i rezistojnë programit të reformave të presidentit, megjithëse Tubimi Kombëtar i zonjës Le Pen ka thënë se mund të mbështesë masat për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës nëse propozimet e tyre miratohen. (bbc.com)