Nga 383 aplikime, 302 punëtorë janë larguar vullnetarisht nga Telekomi.
Ndërsa, të premten e 24 qershorit, ka përfunduar procesi i verifikimit të aplikimeve të punëtorëve të Telekomit për shkëputje vullnetare të marrëdhënies së punës.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë të Telekominit dërguar mediave. Në tri afate të aplikimit thuhet se largimin e kanë kërkuar 383 punëtorë.
Mirëpo, 27 prej tyre u është refuzuar aplikimi pasi që është konsideruar se largimi i tyre ka ndikim negativ në operimet e kompanisë dhe se zëvendësimi s’mund të bëhet nga stafi i brendshëm.
Gjithashtu, 11 aplikacione janë refuzuar për shkak të problemeve procedurale dhe 43 të tjerë kanë tërhequr aplikimet.
Në fund, janë miratuar 64 largime në pension të parakohshëm dhe 238 largime të menjëhershme në kuadër të pakos së dytë dalëse.
Gjithashtu theksohet se ulja e shpenzimeve ka qenë ndër synimet kryesore strategjike të menaxhmentit të Telekomit këtë vit.
“Duke konstatuar, pas shumë hulumtimesh, analizash e diskutimesh të brendshme se një pjesë e madhe e stafit edhe përkundër përpjekjeve mbetet i paangazhuar dhe se me kontributin e tyre nuk i arsyetojnë shpenzimet që i ka kompania për pagat e tyre”.
“Si dhe duke marrë parasysh të drejtat e tyre ligjore dhe ikjen nga vendimmarrja subjektive, një nga idetë për uljen e këtyre shpenzimeve ishte oferta për largimin vullnetar të të punësuarve të cilët janë të zëvendësueshëm për kompaninë ndërkohë që ata shohin perspektivë për angazhime të tjera jashtë kompanisë”, thuhet në arsyetimin e pakove vullnetare dalëse.