Makina më e shtrenjtë në botë u shit nga Mercedes-Benz. Ky është një Mercedes-Benz SLR coupe shumë i rrallë i vitit 1955, i cili kishte mbetur në koleksionin e autoprodhuesit gjerman dhe i ishte shitur një individi për 135 milionë euro.
Hagerty, një kompani që gjurmon vlerat e makinave kolektore, thotë se është makina më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë.
Paratë nga shitja do të përdoren për të krijuar Fondin Mercedes-Benz, një fond global i bursave, tha Mercedes në një deklaratë.
Më parë, rekordi për makinën më të shtrenjtë mbahej nga një Ferrari 250 GTO i vitit 1963 që u shit në 2018 për 70 milionë dollarë.
Ankandi u mbajt në bashkëpunim me kompaninë e ankandeve të makinave RM Sotheby’s.
“Makinat e garave Mercedes nga vitet 1930 dhe 1950 janë të rralla dhe shumica janë ende në pronësi të fabrikës, kështu që ato në treg janë shumë të kërkuara”, tha Brian Rabold i Hagerty, sipas CNN.
Ndërsa identiteti i pronarit të ri të makinës mbetet i panjohur, tregtari britanik i makinave klasike Simon Kidston pretendoi se ai paraqiti ofertën fituese në emër të një klienti.