A i picërroni sytë për të lexuar tekste të vogla ose për të parë objekte nga larg? Apo vështirë se mund të shihni diçka pa vendosur lentet apo syzet tuaja? Nuk jeni të vetmit. Klinika e “Cleveland” siguron që rreth 65% e të rriturve amerikanë kanë shikim më të ulët se 20/20.
Me kalimin e moshës, shanset për të pasur probleme me shikimin vetëm rriten. Një sërë problemesh të syve të lidhura me moshën, duke përfshirë sytë e thatë, kataraktet, glaukomën dhe retinopatinë e lidhur me diabetin, mund të çojnë në dëmtim të syve dhe humbje të shikimit në vitet e mëvonshme.
Dr. Ramin Rabbani, një optometrist i certifikuar në “Eye Candy Optometry”, na jep disa këshilla se si të parandalojmë problemet e shikimit të lidhura me moshën në jetën e përditshme.
Jetesa e shëndetshme mund të përmirësojë shikimin tuaj
Sipas Dr. Ramin Rabbani, shumë nga zakonet e jetesës së përditshme që e mbajnë trupin tuaj të shëndetshëm ndihmojnë edhe sytë tuaj. Në mënyrë të veçantë, Dr. Rabbani sugjeron të konsumoni një dietë të shëndetshme të mbushur me zarzavate, si lakra jeshile dhe spinaqi. Këto perime përmbajnë luteinë, zeaxanthin dhe vitaminë C – të gjitha këto janë lëndë ushqyese kryesore për shëndetin e syve.
Dr. Rabbani tregoi gjithashtu disa zakone të jetesës që i dëmtojnë sytë tuaj. Kryesori është pirja e vazhdueshme e duhanit. Ai rekomandon që kushdo që kërkon të ruajë shëndetin e syve të tij teksa plaket, të heqë menjëherë dorë nga cigaret.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave thotë se pirja e duhanit mund të shkaktojë sëmundje të syve që çojnë në humbje të shikimit dhe madje edhe verbim. Prandaj, lënia e duhanit ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të këtyre sëmundjeve të syrit.