Dje në ish-kampin famëkeq të diktaturës komuniste në Tepelenë u zhvillua një ceremoni duke kujtuar 73-vjetorin e krijimit të tij.
Nga kampi i demokratëve ishin të shumta postimet. Reagoi edhe Lulzim Basha pas disa javësh heshtje totale.
Ish-kryetari i PD-së, kishte një mesazh në Facebook. Ai tha se kurrë nuk është vonë për drejtësi për t’u ndarë nga e shkuara dhe dënimi i saj.
“Kurrgjanë mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue.” At Zef Pllumit. Ata mbijetuan për t’i treguar shqiptarëve dhe mbarë botës.
Krimet e tmerrshme të komunizmit, vrasjet pa gjyq, persekutimin dhe ndarjen e familjeve shqiptare. Vrasjen dhe burgosjet e mendjeve më të ndritura që kishte vendi.
Shqipëria do t’ju jetë përjetë mirënjohëse! Por ndërsa mbijetuan ata panë me trishtim se si u lartësuan xhelatët e tyre. Vazhduan të kenë pushtet dhe të jenë të paprekshëm. Përjetuan dhimbjen e mos gjetjes së eshtrave të të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, zhdukjen e gjurmëve të krimeve dhe emrave të kriminelëve.
Kurrë nuk është vonë për drejtësi! Ndarja nga e shkuara totalitare dhe dënimi i saj janë sot imperative për shoqërinë. Për paqen tonë sociale, për mbrojtjen e lirisë që është thelbi i idealit tonë europian, dhe për ngjadhënjimin e një të ardhmeje më të mirë” tha ai.
I pranishëm në ceremoni në ish-kamp ishte dhe deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. Ai përmendi disa nisma që ka ndërmarrë PD-ja si ligji për lustracionin apo dekomunistizimin. Kreu i grupit të PD, akuzoi PS-në se i ka bllokuar.
Por tashmë që socialistët i janë rikthyer dekomunistizimit për të larguar Berishën me ligj nga politika, a do i bashkojë votat grupi i Alibeajt?
Shtatori pritet që të ketë zhvillime të forta.
Lëvizja e PD
“Çështja e dekomunistizimit është thelbësore në rrugëtimin 30 vjeçar të historisë politike dhe shoqërore shqiptare.
Për fat të keq ky proces kaq i rëndësishëm nuk është trajtuar i plotë, në të gjithë dimensionet e tij. Herë pas here segmente të caktuara të dekomunistizimit janë trajtuar edhe me akte apo iniciativa ligjore.
Psh le të përmendim shpërblimin e viktimave të komunizmit, genocidin, perpjekjet për hapjen e dosjeve apo dhe tentativat e penguara për lustracionin.
Por fakt mbetet që të gjitha këto copëza të rëndësishme janë si te tilla por pa dyshim do të kishin peshë shumë herë më të madhe nëse do të ishin bashkë dhe të harmonizuara.
Për fat të keq edhe këto iniciativa pjesore nuk janë cuar deri në fund apo janë penguar apo shmangur nga qëllimi.
Në emër të PD dua të përmend këtu se gjatë këtyre 30 viteve ne kemi ndërmarrë iniciativa të tilla, por këto nisma në mënyrë sistematike janë shuar dhe dekurajuar nga Partia Socialiste si trashëgimtare e Partisë së Punës” tha Alibeaj.
Pesë pikat e Alibeajt
Pprocesi i dekomunistizimit nuk mund të jetë i fragmentarizuar dhe posacërisht komponenti i lustracionit nuk mund të jetë i vecuar.
Lustracioni duhet të shkojë paralelisht së paku me komponentë të tjerë sic janë deklasifikimi i dosjeve. Po ashtu ndalimi i simboleve të komunizmit dhe ngritja e muzeve dhe memorialeve te kujtesës.
Nuk mund të bazohet tek hakmarrja, qoftë kjo personale apo për motive politike.
Mos konceptohet si mjet i luftës politike, me të cilin kërkohet asgjësimi i kundërshtarëve politikë.
Zbatimi duke respektuar shtetin e së drejtës.
Procesi i lustrimit duhet të jetë i gjithëpranuar. Një proces ligjor lustrimi mund të jetë i gjithëpranuar nga shoqëria dhe politika, e cila ka detyrën që të veprojë sipas nevojave dhe në shërbim të shoqërisë”.
Nisma
“Partia Demokratike, ashtu sic e kemi bërë me dije publikisht edhe më parë, është e angazhuar për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin.
Hapja e plotë të dosjeve, ndalimi i simboleve komuniste dhe kujtesa kolektivepërbëjnë një korpus fillestar.
Në ditët në vazhdim do tju njohim dhe me detaje me konkrete të punës sonë në këtë drejtim” tha Alibeaj.