Shqipëria renditet e treta në Europë pas Bjellorusisë dhe Rusisë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo-s për periudhën janar-korrik 2022.
Çka nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament.
Në raport me vendet e rajonit shteti më i lirë renditet Kosova. Indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti në Kosovë është 11,7 vite. Më pas vjen Maqedonia e Veriut 12,7 vite, Mali i Zi me indeks 13,3 dhe Serbia me indeksin 14,8.
Në indeksin e çmimeve të pasurive të paluajtshme për periudhën janar-korrik 2021 sipas të dhënave të Numbeo-s, Shqipëria renditej e 7-ta me indeks 13,7 vite.
Në kryeqytet këtë vit janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi. Krahasuar me vjet në objektet e reja ku sapo kanë nisur ndërtimet çmimet janë më të larta. Në periferitë e Tiranës siç është Kinostudio apo Astiri çmimet e apartamenteve të reja kanë arritur 1,000 deri 1,100 euro për metër katror nga 900 deri 1,000 që ishin vjet çmimet në këto zona. Rritja është 10% më shumë.
Ndërsa në zona të tjera rritja e çmimeve është më e lartë. Në zonën e Komunës së Parisit vjet çmimi maksimal për apartamentet e reja ishte 1,700 euro për metër katror (ndërtimi i ri që po zhvillohet në tokën e ish universitetit Neë York). Këtë vit ka arritur 2,200 euro në ndërtimin e ri në hyrje të komunës së Parisit. Rritja e çmimit krahasuar me vjet është 29,4%.
Ndërsa në zonën e Bllokut dhe kullat në qendër, apartamentet po shiten me 5,000 euro për metër katror./Monitor