Deputeti i PD, Ervin Salianji ka akuzuar qeverinë për marrje masash të vonuara ndaj Iranit të akuzuar për organizimin e sulmit kibernetik në Shqipëri.
Ai thekson se sulmi kibernetik ka ekspozuar Shqipërinë si hallkë të dobët duke rënë lehtësisht pre e sulmit.
“Përherë qeveri e vonuar, masat duhet të ishin marrë me kohë, media ka raportuar përpara qeverisë, që sulmi ishte nga grupime që vinin nga Irani!
Ndërprerja e marrëdhënive diplomatike duhet të kishte ndodhur, por më mirë vonë se kurrë!
Sulmi kibernetik për fat të keq ka ekspozuar Shqipërinë si hallkë të dobët duke rënë lehtësisht pre e sulmit!
Milionat e Eurove të shpenzuara nga taksat e qytetarëve nuk janë përdorur në mënyrë efiçente!
Kjo ngjarje por dhe ngjarja e Gramshit ku akuza e prokurorisë është për spiunazh duhet të marrin gjithë vëmëndjen e duhur, mbeshtetjen e duhur dhe projektorët e plotë!
Ne do të kërkojmë informacione të plota në Komisionin e Sigurisë Kombëtare 🇦🇱 nga drejtuesit e institucioneve, KM, drejtuesi i SHISH, AKSH!
Shqipëria duhet të investojë për të kapur standartet më të larta të sigurisë dhe të rrisë buxhetin për mbrojtjen në nivelin e kerkuar nga NATO” shkruan ai.