Në vitin 2021, kompania “Albcontrol”, u vu në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol.
Në raportin vjetor të vitit 2021 të “Albcontrol” gjatë periudhës Janar- Dhjetor 2021, nga aktiviteti i “Mbikalime & ulje ngritje”, është arkëtuar e duhet të ishte në dispozicion të shoqërisë për të plotësuar detyrimet e programit, shuma me vlerë neto 20.98 milionë euro, ose 2.57 miliardë lekë.
“Shoqëria gjatë kësaj periudhe është përballur me vështirësinë për likuiditet si pasojë e pamundësisë së përdorimit të fondeve në llogarite e saj bankare jashtë vendit, duke ndikuar në frenimin e një ecurie normale të punës së saj.
Në pamundësinë e shfrytëzimit të fondeve të saj si dhe në kushtet e pasojave të rënda që ka reflektuar pandemia në fushën e aviacionit, janë ndjekur gjithashtu rekomandimet nga EUROCONTROL, që prej fillimit të pandemisë, ku rekomandohej marrja e masave për menaxhimin e kujdesshëm të shpenzimeve në mënyrë që të përballonim skenarët e paparashikuar gjatë pandemisë, Kompania ka reduktuar pjesën më të madhe të shpenzimeve për këtë 12 mujor duke u përpjekur të mbulojë vetëm shpenzimet më të nevojshme për ecurinë e punës, pa cenuar parrezikshmërinë, duke u bazuar në të gjitha burimet qe ajo ka patur në dispozicion”, thuhet në raportin vjetor.
Bllokimi i llogarive është i lidhur me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti.
Përballja e Shqipërisë me Francesco Becchetti, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti.