Qindra dokumente të klasifikuara të dërguara nga NATO në Portugali janë gjetur për shitje në rrjetin e errët pas një sulmi kibernetik ndaj shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të vendit dhe shërbimit të inteligjencës ushtarake, raportoi sot gazeta Diario de Noticias.
“Ky është një sulm kibernetik, i cili vazhdoi për një kohë të gjatë dhe kaloi pa u vënë re, nga bots të programuar për të zbuluar këto lloj dokumentesh”, tha një nga burimet anonime të cituar nga gazeta.
Incidenti është vënë re nga shërbimet e inteligjencës amerikane, të cilat kanë njoftuar autoritetet portugeze për këtë në gusht përmes ambasadës amerikane në Lisbonë.
Një hetim nga shërbimet e sigurisë kibernetike të Portugalisë identifikoi shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura, shërbimin e inteligjencës së ushtrisë dhe një agjenci të ministrisë së mbrojtjes si objektiva të sulmit.
“Qeveria është në gjendje të sigurojë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të punojnë çdo ditë për të mbajtur të paprekur besueshmërinë e Portugalisë si një anëtar themelues i Bashkimit Atlantik,” tha kryeministri Antonio Costa.
“Sa herë që ka një shkelje të dyshuar (…) situata analizohet në thellësi” dhe merren masa “për të forcuar sigurinë kibernetike”, shtoi qeveria portugeze, pa e konfirmuar apo mohuar megjithatë informacionin e gazetës.
Sipas Diario de Noticias, dokumentet në fjalë ishin shkëmbyer ndërmjet agjencive të ndryshme portugeze për linja të pasigurta komunikimi.