Shqipëria njofton për një sulm tjetër kibernetik nga Irani. Kryeministri shqiptar, Edi Rama e bëri publik të shtunën, (10.08) lajmin e një sulmi të ri nga Irani.
Bllokohen prona iraniane në juridiksionin e SHBA
Sulmi kibernetik i Iranit ndaj sistemit TIMS në Shqipëri ndodhi pa kaluar as 24 orë nga vendimi që morën SHBA të premten për sanksione.
Në një njoftim të Departamentit të Thesarit të SHBA, të publikuar dje, (09.09)theksohet që sanksionet merren „ për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.“
“Në korrik 2022, aktorët e sulmeve kibernetike, me mbështetjen e qeverisë së Iranit dhe Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë, ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë së Shqipërisë duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj“, thekson ky njoftim.
Çfarë parashikojnë sanksionet?
Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë si edhe ministrit të sipër përmendur, Esmail Khatibi, u bllokohen të gjitha pronat.
Por edhe interesat në pronësi të tyre që janë nën juridiksionin e SHBA si edhe u ndalohet hyrja në transaksione me palën amerikane.
Pronat do të bllokohen edhe kur 50 për qind ose më shumë e tyre zotërohet nga personat apo entitete iraniane të vëna nën sanksione.
Persona jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me persona apo entitetet iraniane që janë subjekt sanksionesh mund të bëhen objekt sanksionesh.
Çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t’u nënshtrohet sanksioneve nga SHBA thekson njoftimi i Departamentit të Thesarit.